Rastet e fundit me COVID-19 në KFOR, zyrtarët japin detaje

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Misioni i Forcave Paqeruajtëse të KFOR-it deri më tani ka pasur disa pjesëtarë të infektuar me Coronavirus duke përfshirë ushtarë dhe punonjës të thjeshtë. Zëdhënësi i KFOR-it, Mario Renna tha se secili ushtar që shfaq shenja të Covid-19 ose që ka pasur kontakt vendoset në karantinë para se të evakuohet.

Sot u raportua për tre ushtarë slloven të KFOR’it  të cilët kanë rezultuar pozitv me Coronavirus.

Ushtarët janë transportuar në Slloveni për tretman të mëtutjeshëm.

KFOR’i në një përgjigje për Gazetën Express nuk ka dhënë shifër të saktë për personelin ushtarak të prekur me koronavirus e as kombësinë e tyre.

Zëdhënësi i Misionit paqeruajtës, Mario Renna ka thënë se nuk është në politikën komunikuese të KFOR’it të zbulojë hollësi dhe ky mision ka zbatuar masat e OBSH’së sa i përket Covid-19.

“Politika komunikuese e KFOR-it për Covid-19 nuk është që t’i zbulojë hollësitë dhe kombësitë. Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, KFOR-i ka zbatuar masa të matura, bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me qëllim të zvogëlimit të rreziqeve për personelin e vet dhe për tërë komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigje.

Tutje, zëdhënësi i KFOR’it tha se secili ushtar që shfaq simptoma të virusit vendoset në karantinë para se të evakuohet.

“Secili ushtar që shfaq shenja të infektimit me Covid-19 ose që ka pasur kontakt me të infektuar, vendoset në karantinë parandaluese. Nëse ushtarët e KFOR-it infektohen, ata trajtohen në hapësirat mjekësore në bazat e KFOR-it dhe vendosen në karantinë me qëllim të zvogëlimit të ekspozimit të mëtejmë, para se të evakuohen”, tha ai.

Zëdhënësi Mario Renna, po ashtu u shpreh se bazat dhe hapësirat e KFOR’it në Kosovë përfshijnë masa të rrepta higjienike për personelin në parandalim të koronavirusit.

“Masat e tilla vlejnë për të gjitha bazat dhe hapësirat e KFOR-it dhe përfshijnë masa të rrepta higjienike, kontroll të tërë personelit mjekësor të vendosur në salla dhe kufizime të përkohshme për aktivitetet joelementare”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq një 70-vjeçar punëtor në kampin Bondsteel ka vdekur para disa ditësh pas infektimit me koronavirus.

Nga data 08 shkurt deri më 27 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.705 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 780 raste, ndërsa gjithsej njëzet 22 raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot në Kosovë është gjithsej 201 raste.

Të ngjashme