Sot, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili paska tentuar që të fajësojë zyrtarët e lartë të LDK-së për aferat e partisë së tij. Edhe kjo ndodhë nga të papërgjegjshmit!
Në video incizimet e publikuara ditët e fundit, vërehet qartë që nuk kërkohen mito e fajde për leje të ndërtimit, lokacion të ndërtimit apo për licensë të Spitalit.
Video incizimet janë publike, dihet qartë në ato video për çka kërkohet e ofrohet mito e fajde. Aty nuk kemi parë asnjë njeri të lidhur me LDK-në, por me PDK-në.
Tani, sipas ministrit të Veselit qenka fajtor egzistenca e Spitalit, që njerëzit paskën kërkuar fajde, duke u thirrur edhe në shefin e tij!?
Këto janë përpjekje e veprime të ulta dhe dëshpëruese të z. Ismaili për ta shpëtuar shefin e tij, për të cilin në këto video incizime, thuhet se i kanë dhënë 200 mijë euro, për të cilën duhen dhënë fjalën e fundit organet e drejtësisë.
Plotësisht pajtohemi dhe i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të hulumtojnë dhe të vërtetojnë nëse ka pasur mito e fajde gjatë ndarjes së lokacionit dhe dhënies së lejes së ndërtimit nga Komuna e Prishtinës ose gjatë dhënies së licencës nga organet përgjegjëse.
Mbi të gjitha dhe përfundimisht, duhen vënë para drejtësisë ata që kanë marrë e dhënë mito e fajde. Emrat që përmenden në video, zyrtarë të lartë të PDK-së apo njerëz të afërm me ta, kanë marrë besimin e qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar jetën e tyre. Prandaj, të lartpërmendurit, duhet të përgjigjen para ligjit dhe para qytetarëve të Kosovës.
Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe ndaj të gjithëve.