Deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas zgjedhjes së Gent Begollit, në postin e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit.
Molliqaj ka shkruar në Facebook, se emërimi i Begollit është vazhdimësi i kapjes së ndërmarrjeve publike nga pushtetarët.
“Zgjedhja e Gent Begollit (AAK) në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit është vazhdim i kapjes së ndërmarrjeve publike nga pushtetarët”, ka shkruar Molliqaj.
Molliqaj shton se ndërmarrjet shoqërore duhet të udhëhiqen nga profesionistë, duke aluduar në joprofesionalizmin e Begollit.
“Ndërmarrjet tona publike e shoqërore duhet të udhëhiqen nga njerëz profesionistë e jo nga njërëz të partisë sikurse rasti i Begollit i cili nuk e ka as idenë më të vogël në lidhje me telekomin”, vazhdon tutje Molliqaj.
Për deputetin e PSD-së, Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të politikës, që sipas tij ka guxim për ta luftuar kapjen dhe kriminalizimin e shtetit.
“Kosovës i duhet një gjeneratë e re në politikë, e cila ka guximin dhe dijen për ta luftuar kapjen e shtetit dhe kriminalizimin e tij”, përfundon shkrimi i Molliqat.
Gent Begolli ka qenë drejtor i shërbimeve publike në qeverisjen e kaluar në Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai kishte qenë bartës i listës së AAK-së në zgjedhjet lokale për Komunën e Prishtinës.