Reagon Policia: Drecun dezinformoi për trenin

Prishtinë | 16 Jan 2017 | 14:23 | Nga

Informim i opinionit lidhur me deklarimet e pavërteta të kryetarit të Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, i cili ka thënë se “Njësiti i ROSU shërbehet me metoda terroriste dhe janë faktorë destabilizues, vetë kjo njësi i ka vendosur eksplozivët dhe pastaj i ka krijuar videot”.

Në reagimin e Policisë, thuhet se Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në mandatin e saj ligjor ka për mision ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, sigurinë e përgjithshme, ndër to duke përfshirë edhe kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve të shtetit.

“Lidhur me rastin e paralajmërimit të qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës (RKS) me datën 14.01.2017, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit operacional, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme, në rastin konkret për parandalimin e qarkullimit të trenit ilegal për në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

“Siç e kemi sqaruar edhe më parë, po e ritheksojmë dhe sqarojmë se referuar situatës së krijuar rreth qarkullimit të trenit, ka pasur deklarime dhe publikime të informacioneve të ndryshme në portalet dhe mediumet serbe, se është vendosur mjet shpërthyes (është minuar hekurudha) në territorin e RKS-së, ku për këtë Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante policore, duke përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka ndërmarrë veprimet e saja, me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të krijuara, mirëpo nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së”, thuhet më tej në reagim.

Policia e Kosovës edhe një herë demanton fuqishëm deklaratën e Milovan Drecun dhe të gjitha deklarimet e zyrtarëve politikë serbë, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes, me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë, deklarata këto të cilësuara si dezinformuese dhe të pavërteta.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe kushtetuese.

Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm nuk duhet dezinformuar si në rastin konkret nga Drecun dhe disa mediume serbe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme