Reformat ekonomike në Maqedoni, nën hije të zgjidhjes së problemeve politike

Prishtinë | 07 Pri 2018 | 10:49 | Nga

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni vlerësojnë se realizimi i reformave në planin ekonomik, ec me dinamike tejet të ngadalësuar, sepse Ekzekutivi, kryekëput është e fokusuar në problemet politike, ndërkohë që theksojnë se efektet nga masat e ndërruara nga Qeveria, qytetarët pothuajse nuk i ndjejnë.

Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar një varg masash për subvencionimin e kompanive të vogla dhe atyre të mesme, si dhe kushte të njëjta si për investitorët e huaj ashtu dhe ata vendorë.

Në bazë të planit të Qeverisë për vitin 2018 janë caktuar 3,1 miliardë denarë ose 50 milionë euro për programin për zhvillim ekonomik. Në mënyrë plotësuese janë caktuar edhe një miliardë denarë për masat aktive për punësim.

Përfaqësues nga komuniteti i biznesit shpresojnë se deri në fund të vitit 2018 do të prodhojnë efekte pozitive masat që janë paraparë nga Qeveria aktuale. Ata kërkojnë më shumë transparencë për mjetet që ndan shteti në formë subvencionesh për zhvillimin e kapaciteteve të kompanive të vogla dhe atyre të mesme.

Arben Halili, ekspert i ekonomisë, i cili ka drejtuar dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se kjo qeveri është e fokusuar në problemet politike, masat ekonomike vështirë zbatohen, sepse ka ngecje gjatë përkthimit në ligje konkrete, ndërkohë që kjo strukturë qeveritare votat i siguroi duke premtuar jetë më të mirë për qytetarët.

“Strategjia politike e Qeverisë aktuale të Maqedonisë, më tepër është e drejtuar në drejtim të, siç thuhet, politikave të mëdha siç është zgjidhja e kontestit për çështjen e emrit, sigurisht dhe miratimi i ligjeve që u prezantuan si ligje me siglën evropiane”.

“Gjithsesi se kjo në asnjë moment nuk mund të shërbejë si alibi për t`u neglizhuar mosefikasiteti i masave të propozuara nga ana e Qeverisë e që kanë të bëjnë me përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve në vend, njëkohësisht masave që kanë të bëjnë me mbështetjen e sektorit të bizneseve, sepse kaloi një kohë e konsiderueshme e kësaj garniture qeveritare dhe nuk mund të themi se pritshmërinë e qytetarëve dhe sektorit të biznesit kanë filluar të materializohen”, thotë Halili.

Sipas tij, masat e Qeverisë duhet të jenë në nivelin “shok terapi”, që do të thotë që bizneseve, për problemet, me të cilat ballafaqohen, t’u ndihmohet me masa konkrete që mbase edhe mund të jenë të dhimbshme, por në periudha afatgjate do të jenë më efektive.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme