Rekord i ri, 38 mijë shikues në ndeshjen e Botërorit të basketbollit

Prishtinë | 25 Gus 2023 | 19:50 | Nga Ekonomia Online

Kupa e Botës 2023 në basketboll tashmë ka dëshmuar pse do të jetë ngjarja më e madhe globale e këtij sporti deri më tani. Që në ditën e parë të Botërorit është vendosur rekord sa i takon numrit të shikuesve.

Plot 38 mijë e 115 shikues ishin brenda “Fhilippine Arena” për të përcjellë nga afër ndeshjen e Filipineve me Republikën Dominikane. Ishte ndeshje e Grupit A, që u zhvillua të premten.

Numri i tifozëve ishte i “matshëm”, derisa pasioni i të pranishmëve ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë.

“Të gjithë e dimë që Botërori 2023 do të jetë i veçantë. Që në ditën e parë të Botërorit po dëshmohet kjo. Jemi dëshmitarë të një momenti historik. Të gjithë që ishin brenda në arenë nuk do ta harrojnë asnjëherë nivelin e mahnitshëm të dashurisë për basketbollin dhe për përfaqësuesen e Filipineve. Ky është vetëm fillimi i asaj që do të jetë ngjarja më e mirë në histori të FIBA-s. Të gjithë jemi të entuziazmuar për atë që na pret, brenda dhe jashtë parketit. Na presin gjëra të mëdha jo vetëm në Filipine, por edhe në Japoni dhe Indonezi”, ka thënë kryetari i FIBA Kupës së Botës 2023, Richard Carrion.

“Qëkur aplikuam në vitin 2015 për ta organizuar Botërorin, misioni ishte të tregojmë dashurinë e njerëzve të Filipineve për basketbollin. Ne shpesh themi se jemi tifozët më të mirë të basketbollit në botë. Por të vendosim rekord të ri të FIBA-s për shikueshmëri është e veçantë. U them faleminderit të gjithë 38 mijë e 115 shikuesve në palestër. Bota përfundimisht na ka dëgjuar”, ka thënë Manny Pangilinan, njeriu kryesor i basketbollit në Filipine.

Rekordi i mëparshëm për një ndeshje të Botërorit në basketboll në arenë të mbyllur ishte 32 mijë e 616 shikues. Ky numër i shikuesve ishte mbledhur në finalen e Botërorit 1994 në Toronto të Kanadasë. Ata ishin dëshmitarë të fitores së “Dream Team 2” të SHBA-së ndaj Rusisë në “SkyDome”.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marco Jr, dhe presidenti i FIBA-s, Hamane Niang, ishin në mesin e shikuesve në ndeshjen historike të së premtes. Ylli Dirk Nowitzki po ashtu.

Në atmosferën mbresëlënëse më mirë u gjendën lojtarët e Republikës Dominikane. Ata fituan 87:81 ndaj Filipineve në ndeshjen e grupit A. Ndeshja ishte e fortë dhe interesante. U vendos vetëm pas minutës së 35-të.

Karl-Anthony Towns udhëhoqi Republikën Dominikane me 26 pikë e dhjetë kërcime. Victor Liz i kishte 18 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Andres Feliz ndeshjen e përfundoi me 12 pikë, tetë asistime e gjashtë kërcime.

Jordan Clarkson i kishte 28 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime te Filipinet. Por Clarkson i humbi plot tetë topa. June Maj Fajardo i kishte 16 pikë e shtatë kërcime.

“Është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Është bekim që e kemi provuar këtë. Nuk kam mundur të dëgjoja asgjë sa herë që kemi shënuar pikë”, ka thënë basketbollisti i Filipineve, A.J. Edu.

Tifozët nisën herët ta mbushnin arenën. Disa orë para ndeshjes së Filipineve, arena i kishte dhjetëra mijëra shikues. Në ndeshjen e Italisë ndaj Angolës, të luajtur katër orë para asaj të Filipineve, në arenë ishin mbi 21 mijë shikues.

Rekordi mund të thyhet përsëri gjatë Botërorit.

“Ekipi i Filipineve punon fort, luan shpejt, luan fuqishëm. Mund të ndihet krenaria që kanë për përfaqësimin e vendit. I respektoj shumë lojtarët e Filipineve. Është ekip i shkëlqyer. Ne ia dolëm të qëndronim të disiplinuar. Bashkëlojtarët e mi ishin të mahnitshëm. Jam shumë i lumtur që kemi fituar ndeshjen e parë në Botëror”, ka thënë qendra e Republikës Dominikane, Karl-Anthony Towns.

Italia fitoi 81:67 ndaj Angolës në ndeshjen e parë të Grupit A.

Të dielën janë ndeshjet Italia – Republika Dominikane dhe Filipinet – Angola. Dy të parët në grup avancojnë në raundin e dytë.

Të ngjashme