“Relux” nisi prodhimin e tetëfishoi punëtorët, pa kurrfarë mbështetje nga shteti

Prishtinë | 10 Sht 2017 | 15:24 | Nga Albulena Avdiu

Kompania “Relux”, nga vitit 2010 ka nisur prodhimin e ngjyrave, fasadave dhe produkteve përcjellëse në ndërtimtari.

Pronari i kompanisë, Ramiz Gashi, thotë se qëllimi i tyre ishte që të mos importonin produktet nga Gjermania, duke paguar transport, doganë dhe TVSh, por ato produkte me të njëjtin kualitet të prodhoheshin në Kosovë, duke kontribuar kështu edhe në zbutjen e papunësisë në vend.

Në një bisedë për Ekonomia Online, Gashi tregon se kur merreshin vetëm me tregtimin e ngjyrave dhe produkteve të tjera, si përfaqësues i një kompanie gjermane, nuk kishin nevojë për më shumë se tre punëtorë.

“Por duke parë që nuk është i drejtë dhe as i lehtë importi këtyre produkteve që ishin ngjyra dhe fasada, për shkak se një pjesë e tyre e lëndës së parë është ujë, ne vendosëm që për të mos paguajmë të gjithë ato taksa dhe filluam me prodhimin”, thotë drejtori Gashi.

“Tani që jemi me prodhim, kompania operon me 25 punëtorë”, tregoni ai.

Ndërkohë, “Relux” ka një plan biznesi që brenda dy vitesh të shtojë numrin e të punësuarve deri në 50, duke u zgjeruar në prodhimin e materialeve të ndryshme përfshirë edhe prodhimin e stiroporit.

Gashi tregon se “Relux” tashmë ka një treg dhe partner të sigurt në tregun vendor në shitjen me shumicë dhe pakicë. Gjithashtu “Relux” ka marrëveshje 10-vjeçare për eksport të produkteve në Gjermani dhe Austri.

Por, si shumica e prodhuesve kosovarë, edhe Ramiz Gashi ka ankesa se nuk mbështeten nga shteti i Kosovës.

“Për të bërë biznes në Kosovë është shumë e vështirë… Ne patëm fatin që e gjetëm një linjë komplete të prodhimit nga një prodhues kroat, i cili na mundësoi fillimin e punës. Ne shfrytëzuam lidhjet tona me partnerë nga Gjermania. Por nga shteti i Kosovës nuk patëm asnjë lehtësi që ne po hynim me prodhim në Kosovë; nuk patëm pra lehtësi që ne po e zbusnim sadopak papunësinë në këtë vend”, shprehet ky prodhues.

Gashi thekson se mundohen që punëtorëve t’ua paguajnë “hakun”. “Punëtorët tanë janë punëtorë sezonalë dhe gjatë stinës së dimrit ata nuk paraqiten në punë, ndërsa ne i paguajmë ata rregullisht. Kjo mendoj se është e veçantë sepse shumica e firmave të tjera nuk e bëjnë një gjë të tillë, e sidomos ato të ndërtimtarisë”.

Punëtorët e “Reluxit”, po ashtu, e kanë të paguar transportin dhe ushqimin nga firma; vikendin e kanë pushim; madje kanë dhe shpërblime monetare gjatë festave. “Besoj se kjo është lehtësi dhe i motivon ata”, shprehet pronari.

Aktualisht, 25për qind e prodhimit e eksportojnë, sidomos në Gjermani. “Synimi ynë është që të arrijmë me 50 për qind e prodhimit tonë të jetë eksport”.
Gashi ka thënë se për të arritur një produkt të jetë pjesë e tregut evropian para së gjitha nevojitet cilësi.

Ai bën të ditur se të gjitha produktet që “Relux” i prodhon janë të certifikuara me ISO 9001 në vitin 2012, gjithashtu Relux ka bërë investime në analiza të ndryshme dhe tani të gjitha produktet tona janë të certifikuara me CE.

E në tregun e Shqipërisë, produktet e Kosovës vazhdojnë të jenë të paragjykuara dhe të injoruara, e konfirmon edhe ky prodhues kosovar.

Të ngjashme