Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, thotë se Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje është shumë i rëndësishëm, e bindur se objektet pa leje do të marrin zgjidhjen e duhur.
Në një postim në Facebook, Reshitaj ka falënderuar të gjithë për kontributin e dhënë në hartimin dhe miratimin e ligjit.
Ky është postimi i plotë i Reshitajt:
Të nderuar qytetarë,
Nga sot, Republika e Kosovës ka Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, i cili u votua në shqyrtim të dytë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës pas miratimit në Qeveri.
Kosova që nga 5 shkurti i vitit 2017, kishte mbetur pa ligj për ndërtimet pa leje, kurse projektligji i ri për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje kishte mbetur në sirtar, duke pritur për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Jam e lumtur që me angazhimin tonë, tashmë kemi Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, ligj ky shumë i rëndësishëm për vendin, i cili do të trajtojë mijëra ndërtime të përfshira në Regjistrin Kombëtar të Ndërtimeve pa Leje.
Falënderoj hartuesit e këtij projektligji, Komisionin për Mjedis për vërejtjet dhe sugjerimet e tyre si dhe deputetët për miratimin e këtij ligji.