Reshjet e shumta gjatë natës të së hënës kanë bërë që uji të depërtojë në themelet e ndërtesave të ndërtuara nga kompania “NTP Tregtia”, në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.
Këshilli i Lagjes “Mat 1” ka reaguar lidhur me gjendjen e objektit, duke thënë se themelet e ndërtesave të reja janë të mbuluara me ujë që paraqet rrezik të madh për banorët e kësaj lagjeje.
“Rreziku më i madh për banorët paraqitet edhe si rezultat se uji depërton jo vetëm nëpër themelet e ndërtesave si pasojë e mungesës së drenazhës, mirëpo kalon edhe nëpër muret e brendshme ndërmjet ndërtesave si dhe nëpër kabinat e ashensorëve, çka mund të jenë tragjike”, thuhet në një komunikatë të Këshillit të Lagjes.
“Banorët e kësaj lagje disa herë kanë bërë kërkesë zyrtare tek kompania ndërtuese që të bëjë sajimin e kësaj gjendje, mirëpo deri më tani asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim”.
“Kërkesa e njëjtë është adresuar edhe tek Komuna e Prishtinës, me ç’rast banorët kanë kërkuar përkrahje nga kjo e fundit për të ndihmuar dhe kërkuar nga kompania ndërtuese që të bëj rregullimin e drenazhes dhe të plotësojë të gjitha kërkesat tjera teknike, në pajtim me projektin për të cilën e ka marrë edhe lejen ndërtuese”, thuhet në reagimin e Këshillit të lagjes.
Më tej theksohet se pavarësisht gjendjes së mjerueshme të ndërtesave, Komuna e Prishtinës vazhdon që të japë leje për kompaninë ndërtuese “NTP Tregtia” për projekte të reja, sikurse që është rasti i lagjes/projektit “Kodrina”.
Banorët e lagjes bëjnë thirrje për intervenim sa nuk është ende vonë.
Kompleksi “Mati 1 Tregtia” me leje ndërtimi nr. 01-350-26268/1, përmban afro 600 banesa të ndërtuara në dy faza të ndara. Në fazën e parë janë ndërtuar 450 banesa dhe janë lëshuar për banim në muajin tetor të vitit 2012, përderisa faza e dytë është lëshuar për banim gjatë fundit të vitit të kaluar (2015).