Në Emisionin “Jeta në Kosovë” në të cilin temë diskutimi ishin zgjedhjet lokale 2017, u fol edhe për një sistem mbikëqyrjeje të cilin do ta përdorin partitë politike ndaj punës së kryetarëve të komunave.
Anëtari i PDK-së, Abelard Tahiri tha se vet sistemi elektoral e dikton llogaridhënien e kryetarit të komunës dhe të asamblistëve.
“Ne kemi një sistem politik elektoral që e dikton edhe llogaridhënien, qoftë të kryetarit, qoftë të asambleistit ndaj qytetarit, ndaj partisë dhe unë konsideroj që kjo ka nevojë të përmirësohet, që në një formë apo tjetër këta kryetarë të komunave, asambleistë të jenë më afër qytetarëve”, ka theksuar Tahiri.
Edhe anëtari i AAK-së, Lulzim Leci ka potencuar se vetë sistemi zgjedhor në Kosovë bën që kryetari i komunës të jetë i përgjegjshëm.
“Vetë sistemi zgjedhor në Kosovë e bën që kryetari i komunës të jetë i përgjegjshëm. Jo vetëm asambleistët nuk janë të angazhuar, por edhe nuk kanë shumë kompetencë”, ka potencuar Leci.
Kurse anëtari i LDK-së, Florian Dushi ka folur për një sistem të dyfishtë kontrolli.
“Po është një sistem i dyfishtë i këtij kontrolli, bashkëpunimi, e para janë grupet parlamentare që diskutojnë në lidhje me pikat që diskutohen në mbledhje”, ka thënë anëtari i LDK-së.
Sipas Besnik Bislimit nga VV vetë rezultati i ngushtë nëpër komuna do t’i bëjë kryetarët më të përgjegjshëm.
“Edhe kryetari është përfaqësues i qytetarëve, përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve e ka vetë kryetari dhe rezultatet e ngushta që i kemi pa nëpër shumë komuna janë një farë garancie që kryetarët kanë me qenë në presion më të madh”, ka potencuar Bislimi.
Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim në emisionin “Jeta në Kosovë” ka shpjeguar se DNV-ja bën monitorimin e disa komunave në Kosovë në mënyrë që të ndikojnë në një performancë më të mirë të tyre.
“Në disa komuna kemi mbikëqyrje si në Prishtinë, Prizren ku përmes mbikëqyrjes së aktiviteteve të nivelit komunal, prezantimi i tyre para opinionit, matjen e transparencës së komunave tentojmë me ndiku që komunat me pasë një performancë më të mirë”, ka përfunduar Krasniqi.
Kurse Burim Ejupi nga INDEP është shprehur se beson që asmblistët në këtë mandat do të jenë më aktivë.
“Besoj që asamblistët kanë me qenë më aktivë, e kanë marrë një mësim nga tallja në rrjetet sociale që u është bërë. Qeveria që nuk ka shumë numra, është më e përgjegjshme, një asamblist i pozitës nëse mungon mundet me u shty mbledhja, tash pritet roli shumë më i madh i asamblistave”, ka theksuar Ejupi.