Riz Ahmed deklaron se i ka humbur dy familjarë nga Coronavirusi

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Aktori i njohur, Riz Ahmed, ka bërë të ditur se deri më tani i ka humbur dy anëtarë të familjes nga COVID-19.

Ylli i filmit “The Rogue One: A Star Wars Story”, në një intervistë të fundit i ndau mendimet e tij rreth pandemisë aktuale të koronavirusit, dhe mënyrës së si shoqëria po reagon ndaj saj, transmeton Koha.

Ahmed gjithashtu foli për pikëllimin e tij personal që kjo sëmundje vdekjeprurëse ia ka shkaktuar, atij dhe familjes.

Ahmed, i cili u lind në Londër në një familje britaniko-pakistaneze, për revistën “GQ Hype” ka deklaruar: “Kam humbur dy anëtarë të familjes nga COVID-19. Unë dua të besoj se familjarët e mi dhe të tjerët nuk vdiqën për asgjë. Ne duhet të aktivizohemi dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë”.

Duke shpjeguar se si kjo pandemi është trajtuar në Britani të Madhe dhe në mbarë botën, Ahmed e potencoi ngritjen e autoritarizmit dhe diskriminimit në vend.

“Shpresoj që rritja e vlerësimit për Shërbimin Kombëtar Shëndetësorë do ta ulë paragjykimin ndaj pakicave etnike që punojnë aty. Ne themi se e duam Shërbimin Kombëtar Shëndetësorë më shumë se familjen mbretërore apo ushtrinë e vendit, por a i duam njerëzit që e mbajnë atë në funksion? Sepse, nëse vazhdojmë t’u themi njerëzve që vijnë nga minoritetet se duhet të kthehen andej nga kanë ardhur, atëherë jemi në kundërshtim me këto deklarata,” ka thënë tutje aktori.

Sidoqoftë, ai deklaroi se shpreson që kjo krizë shëndetësore, do të qoj në ndërtimin e një shoqërie më të mirë globale.

Riz Ahmed i cili shpreh frikën e tij për pabarazi në trajtimin e të infektuarve që i takojnë minoriteteve të ndryshme, po ashtu ka folur edhe për perceptimin e tij për trajtimin global të pandemisë, dhe se si ai beson se po përdoret për përfitime politike.

Të ngjashme