Rizvanolli thotë se situata me furnizim me rrymë pritet të përkeqësohet, s’tregon nëse do të ketë reduktime

Prishtinë | 11 Jan 2023 | 11:37 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se pritet të përkeqësohet situata me furnizim me energji elektrike. Paraprakisht, në mbledhjen e Ekzekutivit u miratua vendimi për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji.

Sipas saj, javët në vijim janë kritike, por shtoi se kjo nuk do të thotë që do të kemi reduktime, raporton Ekonomia Online.

Ajo theksoi se çmimet e energjisë elektrike në tregjet evropiane pritet të rriten dhe se konsumi pritet të rritet gjithashtu.

“Vendosëm masat emergjente për furnizim me energji, duke qenë se situata me furnizim me energji pritet që të përkeqësohet gjatë javëve në vijim, duke marrë parasysh uljen e temperaturave në të gjithë Evropën. Po hyjnë në javë dhe muaj kritikë të dimrit. Kjo nuk do të thotë që do të kemi reduktime. Nuk jam duke e thënë këtë”.

“Kështu që po hyjmë në një fazë ku duhet të kemi edhe më shumë kujdes për kursim të energjisë, gjë që do të ndikojë në uljen e importit, në uljen e kostos së sistemit, si dhe në ruajtjen e buxhetit të shtetit”.

Rizvanolli tha se janë ndarë  mbi 11 milionë euro për pagesën e subvencionit për të gjithë qytetarët dhe bizneset për që kanë kursyer rrymë për muajin dhjetor të viti 2022.

Nga kjo masë ministrja tha se kanë përfituar mbi 467 mijë qytetarë.

“Sot gjithashtu ne ndamë 11 milionë e  482 e 236 euro për pagesën e subvencionit për të gjithë qytetarët dhe bizneset për muajin dhjetor 2022.  Faturat për të gjithë janë subvencionuar nga buxheti i Kosovës”.

“Shuma e ndarë deri më tani është 76 milion e 838 mijë e 445.5 euro për periudhën shkurt deri në dhjetor 2022. Mesatarja për familje është 112 euro përgjatë kësaj periudhe”, tha ajo.

Të ngjashme