Rrahmani merr mbështetje nga FMN

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 15:34 | Nga

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë, priti sot në takim përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ku u bisedua për prokurimin e centralizuar të barnave dhe prokurimin elektronik.

Ministri Rrahmani njoftoi përfaqësuesit e FMN-së se MSh është duke e zbatuar prokurimin e centralizuar për barna qysh nga fillimi i vitit, të tri niveleve të kujdesit shëndetësor, derisa me zbatimin e prokurimit elektronik është filluar nga muaji shtator i këtij viti për të gjithë tenderët e saj përfshirë edhe tenderët e barnave.

Ai ka shtuar se MSh e mirëpret ndihmën që po jep FMN në implementimin e prokurimit elektronik si indikatorë pozitiv në përshpejtimin e procedurave si dhe të transparencës të plotë në proceset e tenderimit si për operatorët ashtu edhe për të interesuarit e tjerë.

Përfaqësuesit e FMN-së, kanë shprehur kënaqësinë e tyre për hapat që janë ndërmarrë nga MSh në këtë proces dhe poashtu kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në implementimin e prokurimit elektronik dhe atij të centralizuar për barna, duke dhënë edhe rekomandimet e tyre për këtë fazë.

Përndryshe, qëllimi i implementimit të prokurimit elektronik dhe atij të centralizuar është se do të arrihet furnizimin më stabil, më të shpejtë, transparent dhe me kosto më të ulët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme