Rrahmani te Napoli, Vojvoda te Torino – menaxheri Adrian Aliaj flet për transferimet e dyshes së Kosovës

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Mërgim Vojvoda është transferuar nga Belgjika në një nga ligat kryesore evropiane siç është Seria A ku do të veshë fanellën e Torinos.

Në garë për mbrojtësin e përfaqësueses së Kosovës ishte deri në fund edhe Atalanta, por përfaqësuesi i lojtarit, menaxheri i njohur shqiptar Adrian Aliaj, ka zbuluar prapaskenat.

“Transferimi i Vojvodës në kampionatin italian është një surprizë për mua, por jam shumë krenar për këtë lëvizje, pasi bëhet fjalë për një lojtar me shumë vlera. Ishte në lojë edhe Atalanta, por zgjodhëm Torinon, pasi këmbënguli shumë më tepër dhe mendoj se bëmë zgjedhjen e duhur. Mërgimi do të jetë titullar absolut në Torino dhe Giampaolo aplikon një skemë që i përshtatet shumë atij”, ka thënë Aliaj për Supersport.

Të luash në Serinë nuk është e thjeshtë, por Aliaj është i bindur që futbollisti i tij do t’ia dalë të jetë protagonist tek Torino, ndërkohë që është i lumtur për aventurën e re tek Napoli të një tjetër futbollisti që ai përfaqëson, Amir Rrahmanit.

“Te Mërgimi kam shumë besim që do të jetë i suksesshëm, sepse është rritur në kampionatin belg te Standardi. Nuk ka kaluar fare nga Shqipëria apo Kosova dhe është një djalë me mentalitet evropian, profesionist dhe nuk kam dyshim që do të jetë surpriza e kampionatit. Do ta shihni vetë”.

“Transferimi i Rrahmanit te Napoli, ishte kulmi i punës tonë në ato momente, ndaj jemi shumë të lumtur me këtë marrëveshje”, u shpreh Aliaj. 

Të ngjashme