Komuna e Prishtinës i ka rrënuar shtëpitë e ndërtuara në pronë komunale në Hajvali.
Inspeksioni i Komunës së Prishtinës, hasën në rezistencë nga banorët e tri shtëpive të cilat i ka rrënuara. Aksioni përfundoi me shoqërimin e Policisë. Banorët kundërshtuan rrënimin e tyre me arsyetimin se nuk kanë tjetër vend për strehim.
Derisa ekskavatorët po kryenin rrënimin, kryefamiljarët po mbaheshin nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Banorët më pas kanë qëndruar te Banesat Sociale që ndodhen në këtë lagje, duke kërcënuar Komunën se nëse nuk u bëjnë zgjidhje për banim do të qëndrojnë në këto banesa.
Të revoltuar, banorët kanë kërcënuar edhe ekipin e TV ARTA-s. Zyrtarët komunalë kanë thënë se është i papranueshëm ndërtimi në pronë komunale dhe se kanë vepruar në bazë të ligjit.
Thonë se Komuna u ka kërkuar se nëse janë raste sociale të paraqiten në drejtorinë përkatëse, dhe sipas tyre, janë paraqitur vetëm dy familje.
Sipas Tahirit, Komuna me kërkesën e banorëve u kishte dhënë afat prej pesë ditësh që ata vetë t’i rrënonin shtëpitë, por vetëm njëra familje e kishte bërë një gjë të tillë.