Qendra Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ofruar 967 shërbime emergjente gjatë fundjavës së fundit.
Sipas të dhënave të QKUK-së, 291 pacientë janë trajtuar në Reanimim, 224 në Emergjencën Internistike, 179 në Emergjencën Kirurgjike dhe 208 në Emergjencën Ortopedike.
Ndërkaq, 62 pacientë kanë marrë shërbime në Sallën e Vogël, ku janë kryer qepje, përpunim dhe pastrim i plagëve.
Sa i përket natyrës së lëndimeve, janë regjistruar një rast i lëndimit nga arma e zjarrit, tre raste nga armët e ftohta dhe pesë raste të intoksikimeve.
Gjithashtu, 10 persona janë trajtuar pas përleshjeve fizike, ndërsa 72 persona janë lënduar në aksidente trafiku.
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe 86 pranime për trajtim në klinika të ndryshme të QKUK-së.
Në fundjavën e fundit janë regjistruar edhe tre raste të vdekjes (exitus).