Rriten për 2.6 për qind çmimet e prodhimeve blegtorale

Prishtinë | 08 Maj 2020 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e parë të këtij viti.

Në tremujorin e parë të vitit 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2.59%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (- 7.76%). 

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 0.13%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit  2019.

ASK-ja shpjegon se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në tregje, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.

Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

Për më shumë informata lidhur me Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi, për TM1 2020 klikoni KËTU.

Të ngjashme