Rritet shitja e armëve në botë

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Në vitin 2019, shitja e armëve dhe kërkesa për shërbime ushtarake kanë shënuar rritje prej 8.5 për qind krahasuar me vitin 2018.

Instituti Ndërkombëtar i Paqes në Stokholm (SIPRI) në raportin e tij të publikuar më 7 dhjetor, thotë se 25 kompanitë më të mëdha të këtij sektori kanë shënuar shitje të armëve prej 361 miliardë dollarësh.

Të dhënat e SIPRI tregojnë se nga 25 kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve dhe që ofrojnë shërbime të tjera ushtarake, pesë prej tyre që kanë pasur më së shumti shitje janë me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Në kuadër të shërbimeve ushtarake, që ofrojnë këto kompani, hyjnë mirëmbajtja e pajisjeve ushtarake, riparimi, hulumtimi dhe zhvillimi i pajisjeve ushtarake etj.

Kompanitë kineze kanë pasur trend të mirë të shitjes, ndërkaq, ato ruse kanë pësuar rënie. Në mesin e 25 kompanive me shitjen më të madhe të armëve për herë të parë është futur një kompani nga Lindja e Mesme, ndërkaq një kompani franceze ka shënuar rritjen më të madhe vjetore të shitjeve.

Të pesë kompanitë amerikane: Lockheed Martin, Boeing, Northrop Grumman, Raytheon dhe General Dynamics, gjatë vitit 2019 kanë shitur armë në vlerë prej 166 miliardë dollarësh, apo 61 për qind të të gjithë vlerës së armëve të shitura më 2019 nga 25 kompanitë më të mëdha në botë.

“Që nga viti 2015 deri më 2019, Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti kompani në listën e kompanive për shitjen e armëve. Në listën për vitin 2019, prej 25 kompanive më të mëdha, 12 prej tyre janë nga SHBA-ja”, thuhet në raport.

Për herë të parë, një kompani nga Lindja e Mesme është futur në listën e 25 kompanive që kanë pasur shitjen më të madhe të armëve dhe shërbimeve ushtarake. Kompania EDGE, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, u krijua më 2019, pas bashkimit të mbi 25 kompanive më të vogla. Kjo kompani u radhit e 22-ta dhe ka 1.3 për qind të shitjes së përgjithshme të armëve.

“EDGE është një kombinim i mirë i kërkesës së lartë kombëtare për produkte dhe shërbime ushtarake dhe dëshirës për t’u pavarësuar nga furnizuesit e huaj. Kjo gjë ka bërë që kompanitë vendore në Lindjen e Mesme të rriten”, tha Pieter Wezeman, hulumtues në SIPRI.

Edhe një kompani tjetër, për herë të parë ka hyrë në mesin e 25 kompanive me shitjen më të madhe. ajo është L3Harris Techologies që është radhitur në vendin e dhjetë. Kjo kompani u krijua më 2018, pas bashkimit të dy kompanive amerikane: Harris Corporation dhe L3 Technologies.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme