Rumania refuzon ekstradimin e gazetarit në Turqi

Prishtinë | 17 Dhj 2018 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Një gjykatë rumune të premten hodhi poshtë kërkesën e Ankarasë për të ekstraduar gazetarin Kamil Demirkaya, një kritik i njohur i qeverisë turke.

Gjykata e Apelit e Bukureshtit të premten hodhi poshtë një kërkesë të Turqisë për të ekstraduar një gazetar turk, Kamil Demirkaya, i njohur për kritikat e tij ndaj qeverisë së presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Policia rumune e arrestoi Demirkayan më 5 dhjetor në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet e Ankarasë.

Kërkesa për ekstradim lidhej me akuzat për terrorizëm dhe lidhje armikun e presidentit Erdogan, klerikun e mërguar Fethullah Gulen.

Demirkaya ishte kryeredaktor i Zaman Bulgaria, një media, midis vitit 2003 dhe 2011. Ai u kthye në Turqi, por më pas u transferua në Bukuresht me familjen e tij në vitin 2016. Ai aktualisht shkruan për Zaman Rumania.

“Rumania, një anëtare e BE-së, në këtë mënyrë dëshmon respektin e saj për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe lirinë e fjalës”, tha Zaman Rumania në një deklaratë duke përshëndetur vendimin.

Turqia i ka vënë nën presion të fortë vendet e Ballkanit për të ekstraduar kritikët e qeverisë ose mësuesit që punojnë për shkollat që kanë lidhje me lëvizjen Gulen, duke i akuzuar ata për mbështetje të grushtit të dështuar të shtetit kundër regjimit të Erdoganit në korrik 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme