Sadri Ramabajës i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh

Prishtinë | 09 Tet 2017 | 13:22 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ish-kandidatit për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, i cili nga Prokuroria Speciale po akuzohet për përgatitje të vrasjeve të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës.

Caktimin e kësaj mase, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” mbrojtësi i Ramabajës, avokati Ramiz Krasniqi.

Në seancën dëgjimore, prokurori special, Sylë Hoxha, kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Sadri Ramabajës.

Veprat për të cilat Ramabaja ishte ftuar për tu marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale e Kosovës, si i dyshuar janë: “Vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës” si dhe “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetuese dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Ramabaja, të shtunën ishte arrestuar nga Policia Shqiptare në Durrës, ku sipas kësaj të fundit, ai po tentonte të udhëtonte drejt Italisë.

Ndalimin e Ramabajës në pikën kufitare të Durrësit, e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës.Në raportin 24 orësh të ditës së shtunë, të policisë shqiptare, thuhet se Ramabaja dyshohet se ka pasur pasaportë dhe leje qëndrimi franceze të falsifikuar.

“Më datë 06.10.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, për shtetasin S.R, 56 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë, pasi dyshohet se në P K K Port, ju sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pasaportë dhe një leje qëndrimi franceze, që dyshohen të jenë të falsifikuara”, thuhet në raportin e Policisë Shqiptare.

Ramabaja dyshohet se është përfshirë në grupin që plagosi ish-anëtarin e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, i cili tash është avokat. Plagosja e tij kishte ndodhur më 13 mars të këtij viti.

I dyshuari kryesor për tentim vrasjen e Vllasit është Murat Jashari, një shqiptar që jetonte në Zvicër.Kurse, Sadri Ramabaja, ditë më parë përmes një postimi në rrjetin social facebook, kishte thënë se këto akuza ndaj tij nuk qëndrojnë e të cilat ai i ka quajtur inskenime të pushtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme