SBASHK-u, Bytyqit: Kujdes me mësimdhënësit e arsimit të mesëm të lartë

Prishtinë | 03 Kor 2018 | 14:50 | Nga

SBASHK-u përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqit në lidhje me mos-mundësinë për të vazhduar me ngritjen profesionale pa shkëputje nga puna e për të arritur titullin master.

Në komunaikatë shkruhet se SBASHK-u konsideron se anëtarët e saj , të punësuar në arsimin e mesëm të lartë nuk janë fajtor pse nuk u është dhënë mundësia e as hapësira për të vazhduar me ngritjen profesionale pa shkëputje nga puna e për të arritur titullin master dhe prandaj pa ua krijuar në mënyrë institucionale këtë mundësi, si u veprua me kolegët tanë që kishin Shkollën e Lartë Pedagogjike, nuk mund as të mendohet nga dikush që atyre t’u vihen në pikëpyetje vendet e punës, në të cilat janë me vite e dekada.

“Pas përgatitjeve të duhura në Fakultetet e edukimit ishin dërguar në ngritje profesionale të gjithë të punësuarit në arsimin e mesëm të ulët, që nuk kishin kaluar moshën 50 vjeç e që ishin me Shkollën e Lartë Pedagogjike. Ky aktivitet i ngritjes profesionale pa shkëputje nga puna është në përfundim e sipër. Nga ana tjetër MASHT , gjegjësisht ministri i atëhershëm , Arsim Bajrami kishte nxjerr Udhëzimin Administrativ 06/2015 që ka të bëj me Normativin mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm, neni 12 i të cilit thotë se : “se pas përfundimit të vitit shkollor 2017-2018 shpallet konkursi për vende të lira pune për të gjithë kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret e kualifikimit si më lartë”, që nënkupton se deri në këtë kohë të gjithë të punësuarit në arsimin e mesëm duhet të kenë titullin master. Ministri Bajrami në atë kohë ka menduar se mjafton koha nga 10.07. 2015, kur ka nënshkruar këtë UA e deri në vitin 2018 që në Fakultetin e Edukimit kuadrot e arsimit të mesëm të vazhdojmë me ngritjen profesionale dhe të arrijnë titullin master. Mirëpo, me këto kuadro nuk është vepruar si me kolegët e tyre që kishin SHLP-në. Këta nuk u dërguan me lista në Fakultetin e Edukimit për të vazhduar me ngritjen profesionale e për të ardhur të titulli master dhe prandaj nuk është e drejtë që të vihet në zbatim nga DKA-të neni 12 i këtij Udhëzimi Administrativ”, thuhet në komunikatë.

SBASHK-u tregon se është alarmuar që në fillim të këtij viti Bytyqi lidhur me këtë çështje dhe ka kërkuar nga ai që të veprojë dhe shtyjë afatin që e ka përcaktuar ish Ministri Bajrami dhe të obligohet Fakulteti i Edukimit që të krijojë hapësirë e të caktojë kuadro adekuate që do të punonin me të gjithë mësimdhënësit e arsimit të mesëm, që nuk janë më të vjetër se 50 vjeç në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi për ngritje të duhur profesionale. Kërkesë për veprim konkret SBASHK i ka dërguar Ministrit Bytyqi dhe kabinetit të tij edhe sot, më 3 qershor, pasi ka informacione se ka nisur të aktualizohet aty e këtu nga DKA-të neni 12 i UA 06/2015, thuhet më tej.

“SBASHK-u konsideron se anëtarët tonë , të punësuar në arsimin e mesëm të lartë nuk janë fajtor pse nuk u është dhënë mundësia e as hapësira për të vazhduar me ngritjen profesionale pa shkëputje nga puna e për të arritur titullin master dhe prandaj pa ua krijuar në mënyrë institucionale këtë mundësi, si u veprua me kolegët tanë që kishin Shkollën e Lartë Pedagogjike, nuk mund as të mendohet nga DKA-të që atyre t’u vihen në pikëpyetje vendet e punës, në të cilat janë me vite e dekada”, përfundon komunikata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme