Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka folur në lidhje me përmirësimin e kushteve në QKUK, furnizimin me pajisje të reja për disa reparte, trajtimin e pacientëve në mënyrë profesionale si dhe heqjen e listës së pritjes për magnet rezonancë dhe CT, raporton Ekonomia Online.
Ai ka treguar se në ambulancat e reja trajtohen deri në 800 pacientë në ditë. Sejdiu tha se brenda muajit pritet të fillojë një projekt nacional për trajtimin e infarktit akut.
Ai ka thënë se ka pasur tendenca nga disa individë që të shkaktohet panik tek qytetarët që të mos trajtohen në QKUK, por në spitale private.
“Në ambulancat e reja tani trajtohen 800 pacientë në ditë, lajm i mirë është që brenda muajit do fillohet një projekt nacional ai i trajtimit në dy orët e para i infarktit akut. Të gjitha këto rezultate e që ka mjaftë është që ka pasë tendenca të individëve që të shkaktojë panik tek popullata dhe qytetarët tani me motive të ulëta që pacientët tanë mos të trajtohen këtu, por në spitale private. E dimë që në QKUK ka qenë një zonë transite dhe brenda natës ka pasë individë që ka referu 16 pacientë për tu trajtuar në spitale private, nuk jemi kundër spitaleve private, mirëpo QKUK duhet të jetë qendër referente që mban dyert e hapura pavarësisht për ata që kanë apo nuk kanë para”, tha Sejdiu.
“…Jemi duke u munduar të krijojmë kushte për mjekë e pacientë. Kemi rezultate të prekshme në shumë klinika, përveç infrastrukturës që po e zhvillojmë, furnizimit me pajisje njëkohësisht edhe me atë të shërbimeve shëndetësore. Që nga shkurti i viti të kaluar të gjithë pacientët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare, duke përfshirë stentimin dhe operacionin në zemër. Në klinikën e Radiologjisë është lajm i mirë që magnet rezonanca ku ka qenë lista e pritjes 1 vit tani është reduktuar në 1 javë dhe sa i përket CT-së nuk ka më listë të pritjes”, ka thënë Sejdiu.
Ai tha se për aq kohë sa do të jetë në krye të SSHKUK-së, pacientët do të trajtohen në mënyrë profesionale dhe të sigurt.
“Ne e dimë hallin e pacienteve që kanë pasur më herët, është dashur ti grumbullojnë mija euro për ta shëruar, dhe tani nuk e kanë më atë gajle nëse kanë me i pasë paratë a apo jo. Deri sa të jem unë në këtë post, pacientet do të trajtohen në mënyrë profesionale, krijimi i sigurisë së pacienteve është benifiti më i madh i joni”, u shpreh ai.
Drejtor i Kardiologjisë, Tefik Bekteshi, ka treguar për rastet që janë kryer në vitin 2018. Ai ka thënë se tani janë në funksion dy salla që punojnë në kardiokirurgji.
” Në vitin 2018 janë kryer 1370 procedura, e në këtë vit kemi 720 koronarografi dhe 350 stentime. Mirëpo në Kardiologji vitin e kaluar ka pasur 212 operacione ndërsa në këta 3 muaj 56 operacione. Vdekshmërinë tek infarkti akut e kemi pasë në 3.58. Kemi dy salla që tani punojnë në kardiokirurgji. Kemi një zhvillim progresiv me rezultate të drejta. Vdekshmëria prej 15% fare nuk qëndron sa i përket kardiokirurgjisë invazive”, u shpreh ai, raporton EO.