Sekuestrohen mbi 300 monedha 2 euroshe false në Prishtinë, nisin hetimet

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili ka njoftuar se janë detektuar disa qindra euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për një shumë mbi 300 euro, ku të gjitha prej tyre janë në monedhën metalike 2 euroshe.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Ndryshe, se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Të ngjashme