Kandidatit të AKR-së për Prishtinën, Selim Pacolli, i ka përkuar nisja e fushatës zgjedhore me një ditë të veçantë për të – ditëlindjen.
Ai sot mbush 48 vjet dhe mendon se “ka ardhur koha ta qeverisë Prishtinën”.
Më herët gjatë ditës, Pacolli i kishte ftuar të gjithë, përfshirë kundërkandidatët e tij, në festën e ditëlindjes së tij dhe hapjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 22 tetorit.
“Sonte ju ftoj që të festojmë dy gjërat më të rëndësishme për mua, hapjen e fushatës zgjedhore dhe ditëlindjen time”, ka thënë Pacolli, në një video-postim në faqen e tij në Facebook.
Në ndejën që nisi nga ora 23:00, në restorantin e tij, “Panevino”, ai kishte ftuar edhe kundërkandidatët. “Kam nderin e veçantë, posaçërisht të ftoj kundërkandidatët e mi, Shpendin, Arbanin, Arbërin, Lirakun dhe Shyqën që të bashkohen në këtë festë për të filluar një garë demokratike dhe të sinqertë…E rëndësishme që në fund të fitojë Prishtina dhe qytetarët e saj”, kishte thënë Pacolli.
Por, asnjë nga kundërkandidatët nuk i ka ardhur.
Pacolli ka thënë se ende nuk e ka zgjedhur sloganin me të cilin do të garojë për kryeqytetin.
I pyetur cilat janë prioritetet e tij, ai është përgjigjur: “Rinia, rinia , rinia – qytet i lirë për rininë”.