Në takimin me qytetarë të shumtë të Kodrës së Trimave, kandidati për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli shpalosi programin e tij për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor të kësaj lagje.
Pacolli para qytetarëve premtoi se programi i tij për këtë lagje do ta ndryshojë rrënjësisht cilësinë e jetesës dhe perspektivën për të rinjtë.
Kandidati për Prishtinë premtoi që kjo lagje duhet ta ketë Shkollën e saj të Mesme, do të këtë një ambient më të favorshëm për të bërit biznes duke përkrahur bizneset e vogla dhe të mesme, dhe veçanërisht në krijimin e një perspektive për të rinjtë.
Duke iu referuar qeverisjeve të kaluara, Pacolli tha se qytetarët janë të lodhur me premtime të pa realizuara, dhe se kjo lagje e ka vuajtur shumë neglizhencën e qeverisjeve përjashtuese, militanteske.
Përkrahësit e shumtë të Pacollit shprehën entuziazmin për perspektivën dhe mundësitë që do të ofrojë qeverisja e Pacollit.