Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha se seanca e jashtëzakonshme për raportin e progresit është vendosur të mbahet nesër, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu ka dalur para gazetarëve derisa mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ishte ende duke vazhduar dhe deklaroi se seanca do të fillojë nga ora 10:00, por Kuvendi përmes njoftimit zyrtar bën të ditur se kjo seancë të mbahet nga ora 12:00.
“Para dy ditësh ne si grup parlamentar me mbështetje të LDK-së dhe Grupit të Pavarur kemi proceduar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për raportin e progresit. Kjo seancë do të mbahet nesër në ora 10:00, ashtu siç kemi kërkuar”.
“Ky raport evidenton probleme të mëdha për vendin tonë. Është e rëndësishme që nesër të diskutohet për këtë raport. U vendos që seanca e mbetur do të vazhdojë me datë 26, ku ka 3 interpelanca për kryeminstrin Haradinaj. Gjithashtu është vendosur që me 3 maj të ketë një seancë tjetër me kërkesën për formimin e Komisionit për Shpenzimet e Presidencës dhe disa pika tjera”, tha ajo.