Senatori amerikan: Turqia do të sanksionohet sherri i sistemit rus “S-400”

Prishtinë | 22 Pri 2019 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Senatori amerikan, Robert Menendez, ka deklaruar të hënën se Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin sanksione Turqisë dhe t’ia anulojnë dërgesën e aeroplanëve luftarakë F-35, po që se Ankaraja vazhdon blerjen dhe vendosjen e sistemit kundërraketor rus “S-400”.

“Nuk ka gjasa t’i marrin aeroplanët F-35. Do të sanksionohen, dhe atë në përputhje me ligjin. Blerja e sasisë së madhe të pajisjeve ushtarake nga Rusia është aktivitet për të cilin i sanksionojmë të gjithë në botë, përfshirë Turqinë.

Dhe nuk ekziston ndonjë mënyrë që t’u sigurojmë F-35-at, përkrah S-400-tës, sistem ky që njëmend do të mund t’i vëzhgonte teknologjitë që ne i kemi në këta aeroplanë tanë. Kështu që, kjo punë është e pamundur”, ka thënë Menendez për të përditshmen greke “Kathimerini”, ka raportuar “Al-Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”.

Senatori demokrat ka thënë se edhe mbështetësit më të mëdhenj të marrëveshjes me Turqinë rreth aeroplanëve F-35 dhe zyrtarë të tjerë amerikanë që besojnë se Turqia është edhe më tutje partneri kryesor i ShBA-së për siguri në rajon, e dinë “tejet qartë” se një gjë e tillë “thjeshtë nuk mund të ndodh”.

I pyetur nëse ShBA-ja do ta shqyrtojë mundësinë e zhvendosjes së bazave ushtarake amerikane nga Turqia në Greqi, në rast se marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Ankarasë vazhdojnë të përkeqësohen, Menendez ka thënë se gjithçka është e mundur, ani pse nuk beson se kjo gjë do të ndodhë, ngase ShBA-ja do të bëjë çmos për ta mbrojtur sigurinë e saj kombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme