Serbët e festojnë humbjen e Gazimestanit, e përmendin edhe Kosharen

Prishtinë | 28 Qer 2021 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Serbë të Kosovës por edhe tjerë të ardhur nga Serbia të hënën kanë shënuar Vidovdanin, ditën kur shënohet Beteja e Kosovës ku serbët dolën humbës ndaj Perandorisë Osmane më 28 Qershor 1389.

Manifestimi kryesor është mbajtur në Gazimestan të Obiliqit në vendin ku qëndron Monumenti i Betejës rrethina e të cilit përdoret për rite fetare secilin 28 qershor, njofton Klan Kosova.

Ka qenë kreu i Kishës Ortodokse Serbe patriarku Porfirije ai i cili udhëhoqi me liturgjinë përderisa Mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije mbajti fjalimin e ditës.

Foli gjatë për atë që ai e quan tokën e shenjtë Kosovën.

“ Ky vend është burim shpirtëror për ne për të arriturat tona për ujin tonë. Zoti na përkëdhelë për shkak të princit tonë “Llazarit të Kosovës” dhe për të gjithë heronjtë tanë të cilët për shkak të udhës e sakrificës së tyre paraqesin vlerat më të mëdha për ne”

Me rrëfime mitesh kleriku i ardhur nga Cetinja vazhdoi të trumbetojë fitoren që e quan qiellore të serbëve jo vetëm më 1389 por edhe në kohërat moderne.

“Ata kanë dhënë kokat për të mbrojtur fenë e atdheun e tyre nga atëherë e deri sot. Ata janë numër i madh i njerëzve të Zotit që kanë vuajtur shumë nga Kosova në Jasenovc e deri në Koshare. Secili nga ne që jemi këtu po e ripërtërijmë Besëlidhjen tonë për Kosovën”

Manifestimi në Gazimenstan është mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë ku ishte angazhuar dhe Njësia Speciale Operative.

Paraprakisht me mëngjes serbët u mblodhën në Manastirin e Graqanicës për një liturgji tjetër që zgjati disa orë.

Të ngjashme