Serbia dhe Lista Serbe dalin në mbrojtje të dy të arrestuarve për krime lufte në zonën e Mitrovicës

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se dy persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.
“Nën dyshimin e bazuar, M.J. dhe M.B., gjatë periudhës së luftës, përkatësisht në vitin 1999, dyshohet se kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria shton se hetimet për këtë rast janë në vazhdim dhe se, “me qëllim të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike më shumë detaje”.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e mbështetur nga Beogradi – deklaroi se akuzat për krime lufte “janë shndërruar në një mjet për frikësimin e popullit tonë, e jo në një përpjekje për të vendosur drejtësi”.

Sipas saj, arrestimet janë “vazhdim i presionit” të autoriteteve të Kosovës, të udhëhequra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj komunitetit serb.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi po ashtu, duke thënë se arrestimi në Zubin Potok është “terrorizëm, hakmarrje dhe frikësim” i pjesëtarëve të komunitetit serb.

Gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Kërkimet për rreth 1.600 persona të zhdukur – shumica prej tyre shqiptarë – vazhdojnë ende.

Kohëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa persona të dyshuar dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte.

Nga viti 2000 deri më 2008, hetimet për krimet e luftës në Kosovë janë zhvilluar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK, ndërsa prej vitit 2008 ato janë marrë përsipër nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.

Në vitin 2018, EULEX-i ua ka kaluar rastet e krimeve të luftës institucioneve vendore të drejtësisë në Kosovë./Radio Evropa e Lirë/

Të ngjashme