Serbia vendos gardh me tela gjemborë në kufirin me Maqedoninë e Veriut

Prishtinë | 18 Gus 2020 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Serbia ka filluar të vendosë një gardh me tela gjemborë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës. Ky gardh me tela gjemborë do të duhej të pamundësonte kalimet masive të paligjshme të kufirit, kanë konfirmuar për REL-in, autoritetet e vetëqeverisjes lokale në Preshevë.

Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, ka thënë se ngritja e gardhit me tela gjemborë është pjesë e marrëveshjes me Bashkimin Evropian (BE).

“Mendojmë që gardhi me tela gjemborë është në funksion të sigurimit të kufijve jashtë BE-së për refugjatët, të cilët ndoshta pritet të na frekuentojnë në këtë pjesë të ‘Rrugës Ballkanike’”, theksoi Arifi.

Ai konsideron se shikuar nga ky këndvështrim, gardhi me tela gjemborë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë do të kontribuojë në procesin e integrimeve evropiane, por me mirëkuptimin e plotë dhe respektimin e rrethanave politike.

“Personalisht, unë kam rezerva ndaj një tretmani të tillë ndaj refugjatëve”, tha Arifi.

Serbia gjendet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, përmes së cilës migrantët provojnë të arrijnë deri te vendet e BE-së.

Sipas të dhënave të fundit të qasshme, të cilat Komisariati për refugjatë i Serbisë i ka publikuar më 20 qershor, në 18 qendra të pranimit dhe të azilit në Serbi, janë duke qëndruar rreth 4.800 persona.

Autoritetet në Serbi nuk janë të hapura për të dhënë detaje lidhur me gardhin me tela gjemborë të cilin Serbia po e vendos në kufi me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës.

Madje, as pas disa tentimeve, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë përgjigje në pyetjet e drejtuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Serbia përkohësisht merr pronat private në zonën kufitare

Në vendimin e Drejtorisë republikane të pronave, i cili në qershor është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave të Serbisë, është publikuar lista prej disa dhjetëra njerëzve dhe personave juridikë që posedojnë tokë përgjatë vijës kufitare me Maqedoninë e Veriut, marrjen e përkohshme të së cilave e ka urdhëruar Serbia.

Siç thuhet në këtë dokument, të gjitha këto parcela gjenden në fshatin Miratoc, në Komunën e Preshevës, ndërkaq që Serbia i ka marrë “me qëllim të bllokimit të kufirit shtetëror në masat dhe kufijtë e konfirmuar me Elaboratin për bllokimin e kufirit me Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Gjithashtu, REL-it nuk i është mundësuar qasja për të parë Elaboratin, të cilin e ka hartuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në vendim theksohet që barra e kompensimit për tokën e marrë përkohësisht, bie mbi Republikën e Serbisë dhe se kjo marrje do të zgjasë derisa të mos ketë nevojë për këtë masë, më së gjati tre vjet që nga dita e nxjerrjes së vendimit.

Parandalimi i virusit, arsyeja zyrtare

Në shpjegimin e vendimit, ndër të tjera, theksohet që ky vendim është marrë në përputhje me Dekretin për masat në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ka të bëjë me parandalimin e përhapjes së sëmundjes infektuese COVID-19, veçanërisht për të parandaluar kalimin kufitar të mundshëm “masiv dhe të paautorizuar”.

Drejtoria republikane për pronën nuk është përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me afatin për përfundimin e punimeve dhe çmimin e tërësishëm të projektit.

Të ngjashme