Kryetari i Këshillimit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNj), Behgjet Shala, u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të së enjtes, raporton Ekonomia Online.
Shala në një intervistë për Ekonomia Online, gjithashtu ka kërkuar edhe ndryshime ligjore në mënyrë që deputetët të mos paguhen për aq kohë se Kuvendi të jetë jofunksional. Ai parasheh edhe zgjedhjet të reja nacionale.
“Është joserioze në qoftë se deputetët e marrin rrogën prej 2000 e më tepër euro dhe të mos jenë në gjendje të kryejnë detyrën nga votuesit, ndaj qytetarit dhe ndaj shtetit nga i cili paguheni. Kjo është një shpërdorim i buxhetit dhe duhet të ndërrohet edhe rregullorja dhe të bëhet ligji që në qoftë se nuk kemi efikasitet atëherë nuk mund të paguhen për një punë që nuk e bëjnë. Kështu që këta fajtor janë të gjithë dhe në qoftë se nuk dalin nga istikamet e barrikaduara në mbrojtje ekskluzivisht të interesave të tyre politike atëherë do të kemi një situatë e cila do të përfundoj me zgjedhje të reja”, ka thënë Shala.
Sipas tij, formimi i institucioneve të Kosovës është përcaktuar shumë qartë me Kushtetutë. Shala thotë se askush nuk ka të drejtë ka kushtëzojë votimin e kryetarit të Kuvendit duke e lidhur me emra të caktuar.
“Nuk është e logjikshme nuk është e pranueshme dhe askush nuk do ta kuptonte pse një koalicion i cili ka interes, konkretisht një koalicion i pashpallur Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike ta bllokoj procesin duke mos e votuar kryetarin e Kuvendit sepse është në interes se nëse dështon PNA, ata e formojnë qeverinë”, tha Shala, raporton EO.
Fajtor për gjendjen aktuale të institucioneve, sipas Shalës janë që të dy palët.
“Përderisa ata nuk e propozojnë kandidatin për kryetar kuvendi, përderisa ju nuk shkoni në seancë apo e lëshojnë seancën atëherë faji është i tyre, sepse nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën për të degjeneruar votimin për aq sa ju duhet”, deklaroi Shala, raporton EO.
Ai gjithashtu tha se kritikat ndaj kryesuesit të seancës konstituiv, Adem Mikullovci nuk janë korrekte, pasi gabime kanë bërë edhe kryesuesit që me vite kanë pasur përvojë në udhëheqjen e seancave.
Gjuha që po përdoret nga politikanët në Kosovë është e papranueshme, sipas Shalës, ngase përdorimi i fjalorit ofendues po bëhet për qëllime politike pa asnjë argument.