Shënohet Dita e Boshnjakëve, Haradinaj ka një porosi për Sarajevën

Prishtinë | 28 Sht 2017 | 16:46 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Raportet e mira me boshnjakët duhet të vazhdojnë edhe më tej. Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në konferencën ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Boshnjak.

Haradinaj, i cili ka folur në gjuhën boshnjake, ka kërkuar që të ruhen raportet e mira mes komuniteteve në Kosovë, madje ka kërkuar nga komuniteti boshnjak që të angazhohet që këto raporte të bëhen miqësore edhe mes Sarajevës dhe Prishtinës.

“Do t’i lus boshnjakët e Kosovës që kjo porosi të shkoj edhe në Bosnje, në Sarajevë, që është me rëndësi që edhe Sarajeva të shoh pozicionin e Kosovës dhe të bëjmë hapa të rëndësishëm deri tek njohja, fillimisht duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, të udhëtojmë deri në Bosnjë, sepse kjo është e drejtë njerëzore. Pastaj me rëndësi për të gjithë është edhe bashkëpunimi ekonomik”, tha kryeministri, raporton Ekonomia Online.

Më tutje, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e respektimit të njëri-tjetrit, pavarësisht dallimeve. Duke konsideruar si njërin prej komuniteteve që është angazhuar në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës, kryeministri Haradinaj ka theksuar se kjo ditë është festë për të gjithë.

“Të gjithë kemi dallime mes njëri-tjetrit, partiake apo tjera, por kemi disa ditë të cilat janë të veçanta dhe të gjithë jemi së bashku. Sot ndjehem si njëri prej jush”.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ka theksuar se komuniteti boshnjak do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e Kosovës, dhe të angazhohet në zhvillimin e Kosovës.

“Dita e Boshnjakëve të Kosovës është me rëndësi për shkak se boshnjakët ishin aktiv në luftën e Kosovës, në formimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës, prandaj nuk është festë e jona, por festë e gjithë vendit, e të gjithë neve, që gjithmonë kemi qenë bashkë dhe në promovimin e tolerancës dhe bashkëpunimin mes kombeve jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit”, ka theksuar Demiri, i cili i takon komunitetit boshnjak.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar, tha se Republika e Kosovës është pjesë e pandashme dhe boshnjakët janë pjesë përbërëse e saj.

“Komuniteti boshnjak në Kosovë dhe përfaqësuesit politikë me angazhimin e tyre kanë pasur dhe besoj se do të kenë edhe më tutje ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e tërësishëm të Kosovës. Kosova si shtet i ri dhe që ka pasur pengesa gjatë krijimin e shtet-ndërtimit ka arritur të ndërtojë demokracinë dhe institucione shtetërore dhe para vetës ka ende sfida, por në këtë rrugë duhet të jemi aktiv dhe së bashku t’i tejkalojmë këto sfida” tha ai.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila falënderoi kryeministrin për përfshirjen në institucioneve të Kosovës mirëpo shprehu shqetësimin që në universitet nuk po pranohen studentë boshnjakë në numër të kënaqshëm.

“Komuniteti jonë nuk është aq i vogël në ditën e sotme vendoset një vijë se çfarë kemi arritur me një vit më parë. Kemi shumë sukses , prania jonë në institucionet ne ju falënderohemi kryeministrit se asnjëherë nuk kemi qenë më të përfaqësuar në institucionet e Kosovës”, tha Balje.

28 shtatori është Dita Ndërkombëtare e Boshnjakëve dhe çdo vit shënohet në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj mori pjesë në konferencën ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Boshnjak

Kryeministri Haradinaj mori pjesë në konferencën ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Boshnjak

Të ngjashme