Shërbimi i detyrueshëm ushtarak, Kurti: Modeli më i përshtatshëm mbrojtja gjithëpërfshirëse

Prishtinë | 28 Maj 2026 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se formimi i Xhandarmërisë së Kosovës nuk është premtim elektoral, por nevojë që buron nga situata e sigurisë në vend, raporton Ekonomia Online.

I pyetur nëse krijimi i Xhandarmërisë do të mbetet vetëm premtim, sikurse shërbimi i detyrueshëm ushtarak që nuk u realizua, Kurti tha se pas punës së grupit punues do të procedohet me propozim-ligjin për këtë strukturë.

“Siç e shpjegoi ministri i Punëve të Brendshme, pas grupit punues, pas një koncept dokumenti fillestar, natyrisht që do të procedojmë me propozim ligjin për qendrën e thirrjeve të Republikës së Kosovës, e cila më pastaj do të vihet për diskutim dhe lexime në Kuvendin e Republikës. Pra kjo është domosdoshmëri e kohës dhe padyshim që do ta bëjmë”, tha ai.

Kurti foli edhe për çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke thënë se Qeveria ka vlerësuar se aktualisht modeli më i përshtatshëm për Kosovën është mbrojtja gjithëpërfshirëse.

Ai shtoi se ky model po plotësohet edhe me programe të edukimit për siguri në shkollat e mesme.

“Sa i përket shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kjo është një temë e gjatë, por mos harroni çfarë kemi bërë. Dhe kjo nuk do të thotë që s’do ta bëjmë një ditë. Por kjo do të thotë që tash për tash kemi vlerësuar edhe me ekspertë të fushës që në situatën në të cilën ndodhemi, është shumë më e mençur të kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse, apo mbrojtjen totale, një model i cili i ngjan atij të Finlandës dhe të vendeve baltike, ku ti nuk e bë ushtrinë një grumbull të madh njerëzish që mandej duhet ta strukturosh e ta pajisësh, por në vend të kësaj, përcakton funksione, detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët e republikës në rast të rreziqeve të ndryshme, nga fatkeqësitë natyrore deri tek lufta e armatosur. Pra kemi vlerësuar që në fazën në të cilën ndodhemi, është shumë më e mençur që ta kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse siç e ka Finlanda dhe vendet baltike. Në anën tjetër, kjo komplementohet edhe me dy aspekte të tjera. Me një model për shkollat e mesme, që quhet edukimi për siguri, i frymëzuar nga shembulli i Polonisë”, tha ai.

Të ngjashme