Shfuqizohet Plani Rregullues për “Kalabrinë”, përkundër kundërshtimit të banorëve dhe opozitës

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 13:26 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi propozim-vendimin për anulimin e vendimit për Planin Rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”.

Kjo pikë e rendit të ditës është diskutuar mes tensioneve, gjatë seancës së paradites. Banorët e kësaj lagjeje të cilët ishin të pranishëm në sallë, kanë debatuar ashpër dhe me tone të ngritura kanë kërkuar që plani të mos shfuqizohet.

Kërkesa e banorëve është mbështetur edhe nga këshilltarët e partive opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe AKR, të cilët pasi paraqitën qëndrimin e tyre e lëshuan sallën e mbledhjeve.

Gëzim Sveçla i VV-së tha se nuk është e mundur që plani i ri të bëhet për 6 muaj.

“Nëse e votojmë këtë vendim, rrezikojmë të bëjmë shkelje ligjore dhe vonohet implementimi i planit për atë pjesë… Do të shkojë edhe në dëm të Komunës, në aspektin financiar përveç që i bën dëme banorëve”, theksoi Sveçla.

“Do ta lëshojmë sallën. Do t’i qëndroj prapa votës që kam dhënë në mandatin e kaluar”, tha asambleistja e AAK-së, Valbona Ajeti.

Përfaqësuesit e banorëve kanë paralajmëruar se do të ngrenë padi.

“Ne nuk jemi të asnjë partive, veç po kërkojmë të drejtën që ta shfrytëzojmë tokën tonë”, tha Astrit Tërnava.

Kryetari i Komunës, Përparim Rama, tha se plani duhet të shfuqizohet dhe të rishikohet. Ai tha se vendimi është marrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. “Vendimi është marrë prej ministrisë, duhet ta shfuqizojmë sepse nuk kemi rrugë tjetër. Për mua si kryetar dhe urbanist nuk kishte pasë problem, ne vetëm po mundohemi të bëjmë më të mirën për juve”.

Pas pauzës, propozim-vendimi për anulimin e Planit rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria” kaloi me 25 votat e këshilltarëve të pranishëm në sallë.

Në mbledhjen e së premtes, po ashtu u miratua edhe propozim-vendimi për anulimin e vendimit për miratimin e ndryshimit dhe plotësimin e pjesërishëm të bllokut urban “D2” në kuadër të planit rregullues “Arbëria 3”.

LEXO EDHE:

Të ngjashme