Presidentja Shiroka Pula ka përcjellë një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, duke përkujtuar ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në mesazhin e saj, ajo e cilësoi 28 Nëntorin si ditë të kujtesës, krenarisë dhe nderimit për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
Presidentja theksoi se dalja e parë publike e UÇK-së shënoi një kapitull të ri në rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë.
Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Shiroka Pula tha se duhet të ruhet thelbi i historisë, duke theksuar se UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës.
“Përpjekja e një populli për të jetuar i lirë nuk mund të trajtohet si krim. Historia e një populli nuk mund të shkëputet nga e drejta e tij për liri”, thuhet në mesazhin e saj.
Në fund, ajo përkujtoi Adem Jasharin dhe të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, duke i cilësuar si pjesë të përhershme të kujtesës kombëtare.
“Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim luftës për liri!”, përfundoi mesazhin presidentja.