Ka shkuar në gjashtë numri i viktimave nga virusi misterioz që fillimisht u regjistrua në Kinë. Përpos të vdekurve, gati 300 persona të tjerë janë të infektuar. Pas përhapjes në disa shtete, rasti i parë u shënua edhe në Tajvan.
Zyrtarët shëndetësorë të Tajvanit thanë se personi i infektuar është një grua rreth të pesëdhjetave. Ajo është shtrirë në spital dhe është duke u trajtuar.
Deri më tash janë konfirmuar 293 raste të virusit. Përpos tyre, 54 raste të tjera janë të dyshimta, ndërsa 900 persona janë duke u mbajtur nën vëzhgim.
Raste të dyshimta janë shënuar tashmë edhe në Filipine dhe Australi, ndërsa autoritetet kineze konfirmuan dje se virusi i ri mund të përhapet nga njeriu në njeri. Zyrtarët australianë njoftuan se një person është duke u mbajtur në karantinë pasi kishte simptoma të dyshimta.
Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë kësaj jave do të mbajë një takim urgjent për shkak të përhapjes së virusit të rrezikshëm, i cili po e shkakton një lloj pneumonie.
Raste të këtij virusi janë shënuar më herët edhe në Japoni, Tajlandë dhe Korenë e Jugut.
Pavarësisht këshillës së autoriteteve për të mos bërë panik, tregjet financiare kanë pësuar rënie shkaku i frikës për zvogëlimin e numrit të turistëve, shkruan “Daily Mail”.