Shoferi i kamionit e godet me shufër metalike 57-vjeçarin

Prishtinë | 28 Pri 2023 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Jo rrallëherë ndodhin përleshje mes punëtorëve në biznese të ndryshme në Kosovë. Ato shpesh eskalojnë në kërcënime e sulme, për çka intervenon Policia. Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në Graçanicë, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në një përleshje fizike janë përfshirë dje dy persona, teksa e gjithë ngjarja ka ndodhur në parkingun e kompanisë ‘Coca-Cola’.

Sipas informacioneve të para, pas një konflikti verbal lidhur me shkarkimin e mallit, shoferi i kamionit ka eskaluar në dhunë fizike duke e goditur 57-vjeçarin me kokë e më pas e ka sulmuar edhe me një shufër metalike në kokë.

Si pasojë e kësaj, viktima ka marrë lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor në spital, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia.

Palët janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin, teksa dëshminë e tij e ka dhënë edhe një dëshmitar i rastit i cili ndodhej në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur rrahja.

Bazuar në dëshminë e tij, që të tre janë shoferë kamioni dhe janë shtetas të Serbisë.

Pas përfudnimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Të ngjashme