Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka reaguar përmes një postimi publik, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si një kërcënim të ri ndaj sektorit të qumështit dhe fermave vendore.
Në reagim thuhet se kërcënimet për ndërprerje të sinkronizuar të grumbullimit të qumështit mund të kenë pasoja të rënda për fermerët, ndërsa theksohet se askush nuk duhet të dëmtojë interesat e fermerëve, konsumatorëve dhe financave publike.
Shoqata vlerëson se zbatimi i ligjit duhet të jetë i barabartë për të gjithë, duke iu referuar Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit për të drejtën e konsumatorëve për informim. Sipas saj, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik nuk duhet të shoqërohen me presione apo shantazhe.
Në deklaratë theksohet se shëndeti publik duhet të ketë përparësi ndaj çdo interesi financiar, ndërsa industria e qumështit përshkruhet si një sektor që ndodhet në një moment delikat.
Shoqata u bën thirrje konsumatorëve që të tregojnë kujdes më të madh ndaj produkteve të qumështit dhe pretendon se praktikat mashtruese në treg kanë vazhduar për vite me radhë.
Një pjesë e reagimit i drejtohet Ministrisë së Bujqësisë, nga e cila kërkohet të sqarojë pse, sipas shoqatës, nuk po zbatohet vendimi për pezullimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në përpunimin e qumështit. Gjithashtu kërkohet të bëhet e ditur se kush është përgjegjës për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast të moszbatimit.
Në fund, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës kërkon hetimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që, sipas saj, ka pasoja për fermerët, konsumatorët dhe sektorin e qumështit.