Shoqëria civile në Shqipëri me peticion për heqjen e memorialit turk

Prishtinë | 13 Gus 2019 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Ceremonia e vendosjes së Memorialit me emrat e 251 personave që humbën jetën tre vjet më parë në Turqi, u zhvillua në 15 korrik, e organizuar nga ambasada turke në Tiranë, e cila njoftoi se “me sukses dhe me krenari inauguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Sipas organizatorëve, ngjarja dhe viktimat që Bashkia Tiranë ka vendosur të përjetësojë nuk kanë asnjë lidhje me popullin dhe kombin shqiptar, dhe aq më pak me qytetarët e Tiranës. Tre ditë pas ceremonisë në Tiranë kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta ,me kreun e Shtetit turk, i cili ka fajësuar klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO, për grushtin e dështuar të Shtetit.

Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj por dhe me kryeministrin Edi Rama për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim”, tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”. Por këto lëvizja dhe ky nënshtrim i politikës shqiptare ndaj asaj turke, nuk i ka pëlqyer aspak një pjese të shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që me anë të një peticioni të mundësohet largimi i këtij memoriali.

Peticioni

Ne kërkojmë heqjen e emërtimit “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut”, heqjen e emërtimit “Parku i Demokracisë 15 Korriku” dhe heqjen e pllakës përkujtimore me emrat e të ashtuquajturve “dëshmorë të 15 korrikut”, të gjitha në Parkun e Liqenit. Vendimi sekret për të përjetësuar një ngjarje të brendshme turke është marrë në shkelje të ligjeve të Shqipërisë dhe të rregullave të Bashkisë Tiranë.

Vendimi është marrë pa asnjë dëgjesë apo konsultim publik, duke u mohuar qytetarëve të Tiranës të drejtën për t’u shprehur për të. Ngjarja dhe viktimat që Bashkia Tiranë ka vendosur të përjetësojë nuk kanë asnjë lidhje me popullin dhe kombin shqiptar, dhe aq më pak me qytetarët e Tiranës. Ngjarja që Bashkia ka vendosur të përjetësojë: nuk ka domethënie apo rëndësi historike, kulturore apo shpirtërore për qytetarët shqiptarë; nuk ka vlerë përkujtimore apo simbolike për brezat e ardhshëm; nuk ka rëndësi historike apo kulturore botërore dhe nuk ka domethënie për vlerat e lirisë, demokracisë dhe përparimit njerëzor botëror; nuk ka mbështetje apo pranim të gjerë shoqëror mes qytetarëve të Tiranës.


Ne dyshojmë se veprimet e Bashkisë Tiranë janë shërbim personal ndaj presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, motivuar nga interesa të ngushta vetjake të Kryeministrit Edi Rama dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj. Si të tilla, ato janë shkelje e sovranitetit të vendit dhe dhunim i krenarisë sonë kombëtare. Nënshtrimi i qeveritarëve tanë ndaj një autokrati të njohur për persekutimin e kundërshtarëve politike, për burgosjen e gazetarëve dhe shtypjen e të drejtave të njeriut është, gjithashtu, shkelje e vlerave demokratike perëndimore, të cilat aspiron shoqëria shqiptare.

Veliaj shmang shpjegimet për Memorialin turk

Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit shqiptar Erion Veliaj evitoi të dielën të japë shpjegime të drejtpërdrejta për vendosjen në Parkun e Liqenit në Tiranë, të një memoriali kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të Shtetit në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016. Zoti Veliaj i tha gazetarëve se “në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet”, por pa treguar nëse mund të hiqej një paralele mes pikave të tjera, të cilave ai referohej dhe një ngjarjeje të lidhur ngushtësisht me një vend të huaj e për më tepër me zhvillimet e brendshme politike atje.

Zoti Veliaj e kufizoi reagimin e tij ndaj kritikave që ka ngjallur një ngjarje e tillë, te respekti që duhet treguar për të vdekurit, duke ju shmangur thelbit të debatit. “ Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”. Sipas kryebashkiakut, fakti që atë që kanë ngritur zërin për çështjen e Memorialit, nuk kanë shprehur, sipas tij, shqetësim që zona ku është vendosur ka qenë më parë e mbuluar nga shkurret, nuk u jep atyre të drejtë sipas tij të shprehen.

“Nuk i prish punë askujt. Më thonë është në cepin e Liqenit, ku shumica prej atyre që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra dhe kur digjej plastikë dhe ku zaptohej si territor”, u tha zoti Veliaj gazetarëve. Ceremonia e vendosjes së Memorialit me emrat e 251 personave që humbën jetën tre vjet më parë në Turqi, u zhvillua në 15 korrik, e organizuar nga ambasada turke në Tiranë, e cila njoftoi se “me sukses dhe me krenari inauguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”. Kryebashkiaku Veliaj nuk shpjegoi se i kujt ishte vendimi për ngritjen e Memorialit, dhe cilat ishin motivet e një vendimi të tillë. E po ashtu edhe nëse ka pasur ndonjë akt të Bashkisë për emërtimin e rrugës apo parkut, gjë e cila është kompetencë e saj dhe Këshillit bashkiak që merr në fund vendimin.

Nga një vështrim i vendimeve të publikuara në faqen e Këshillit Bashkiak, nuk rezulton të ketë pasur një të tillë lidhur me ‘’Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”. Fillimisht Bashkia e Tiranës, u duk se kërkonte t’i rrinte larg kësaj ngjarjeje. Interesimit të Zërit të Amerikës për të kontaktuar dhe intervistuar një nga drejtuesit e Bashkisë lidhur me çështjen e Memorialit, një zëdhënës i Bashkisë tha se duhej kontaktuar Ministria e Jashtme. Kjo e fundit i shpjegoi zyrtarisht Zërit të Amerikës se nuk ishte përfshirë në asnjë formë dhe mënyrë në ceremoninë e 15 korrikut. Në fakt asnjë përfaqësues i saj nuk mori pjesë. Ndërkohë që Bashkia u përfaqësua në nivel të lartë, me zëvendësin e zoti Veliaj, nënkryetarin Arbjon Mazniku.

Analisti amerikan: Qeveria shqiptare, vegël e Erdoganit

Analisti amerikan, Alon Ben-Meir, njohës i mirë i rajonit, ka kritikuar qeverinë shqiptare për ngritjen e memorialit kushtuar viktimave të grushtit të Shtetit në Turqi. Analisti shkruan se është i turpshëm niveli ku ka rënë Shqipëria, duke iu dorëzuar presidentit Rexhep Taip Erdogan. “Tani Tirana ka ndërtuar një memorial për viktimën e diktatorit më të pamëshirshëm-Erdogan-i cili burgosi qindra mijëra njerëz të pafajshëm.

Turp që Shqipëria luan ende në duart e Erdoganit”, shkruan ai në një postim në Facebook. Në Shqipëri nuk rezulton të ketë monumente dedikuar ngjarjeve të ndodhura në një shtet të huaj, siç ishte rasti i grushtit të dështuar të shtetit, për të cilin autoritetet turke fajësuan klerikun Fetullah Gylen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO. Nen/kryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, pjesëmarrës në inaugurim, ia ka hedhur “topin” Ministrisë së Jashtme, e cila për “Zërin e Amerikës” ka mohuar përfshirjen e saj në asnjë mënyrë në aktivitetin për memorialin apo inaugurimin e “Rrugës së Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkut të Demokracisë së 15 Korrikut”.

Ndërkohë që në intevistën dhënë për gazetën “Shekulli”, Z. Alon Ben-Meir e ka cilësuar prezencën turke në Ballkan shumë të rrezikshme dhe e gjitha kjo vjen për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë në Shqipëria dhe në vendet e tjera të rajonit. Ben-Meir thekon se: Mungesa e investimeve të konsiderueshme amerikane në Shqipëri i atribuohet disa shqetësimeve, mes tyre korrupsionin e përhapur si në qeveri ashtu edhe në sektorin privat. Paqëndrueshmëria relative politike, siç u demonstrua në protestat e fundit, dekurajon investime të mëdha nga kompanitë amerikane. Veçanërisht ka një konkurrencë të fortë nga Turqia, i cili ofron “kushte më të mira”, duke e bërë më të vështirë konkurrencën e kompanive amerikane. Fakti që kryeministri Rama vazhdoi të përqafohet me Erdogan, pa dyshim nuk ndihmon.

Unë besoj se shqetësimi kryesor i Ballkanit është ndikimi gjithnjë në rritje i Rusisë dhe Turqisë. Të dy po punojnë shumë për të joshur Ballkanin në orbitën e tyre. Mjerisht, Serbia dhe Kosova nuk janë të kujdesshëm në marrëdhëniet e tyre me këto dy fuqi dhe megjithëse ata mbajnë marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Ankaranë jashtë domosdoshmërisë, ata nuk duket se kanë një vizion strategjik afatgjatë që do të pengonte Rusinë dhe Turqinë të ushtrojnë ndikim parësor që do të kufizojë opsionet e Serbisë dhe të Kosovës, veçanërisht në lidhje me aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Çollaku: Isha në ceremoni me dijeninë e Bashës

Ish-kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku ka reaguar pas publikimit të videos ku ai merrte pjesë në ceremoni e vendosjes së memorialit nga ambasada turke në një zonë të Parkut të Liqenit. Në një reagim për median ai thotë se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Ambasadës turke, si përfaqësues i PD.

“Në ceremoni kam marrë pjesë si përfaqësues i PD në përgjigje të një ftese zyrtare nga ambasada turke në Tiranë. Dita e 15 korrikut për Turqinë është shpallur dite zyrtare, dhe kjo e kategorizon si detyrim zyrtar respektimin e asaj date në marrëdhëniet ndërshtetërore. PD si të gjitha vendet demokratike në botë nga ShBA, BE etj e kanë dënuar grushtin e shtetit në Turqi. Po ashtu dhe opozita turke ka dënuar grushtin e shtetit. Marrja e pushtetit përmes grushtit të shtetit nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme në Turqi por një çështje e parimeve demokratike të cilat mbështeten në konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është pjesë, për këtë Shqipëria dhe bota demokratike e dënuan grushtin e shtetit në Turqi.

Turqia dhe institucionet e saj kanë të drejtë të shpallin ditët kombëtare dhe dëshmoret e tyre, ky nuk është tagër i yni, dhe interpretimi subjektiv është krejt pavend. Në marrëdhëniet ndërshtetërore secila palë respekton palën tjetër në mënyrë reciproke. Nuk kam dijeni si është zhvilluar procedura për vendosjen e memorialit, për këtë duhet t’i drejtoheni institucioneve të bashkisë ose ambasadës turke. Ne kemi respektuar ftesën zyrtare të ambasadës turke në Tiranë”, tha Çollaku për A2 CNN. Kjo deklaratë e tij nxjerr bllof Partinë Demokratike, pasi kjo forcë politike edhe pse kishte dërguar vetë përfaqësuesin e saj në ceremoni ,nxitoi të kritikonte vendosjen e memorialit në një zonë të Parkut të Liqenit, duke nxjerrë në një deklaratë zyrtare edhe Gert Bogdanin, i cili e quajti këtë akt si gafë nga ana e Veliajt dhe Ramës.

Të rinjtë protestë: Respekt për të vdekurit, por ky monument nuk na përket neve

Një grup të rinjsh kanë shkuar të dielën përpara memorialit në parkun e Liqenit të ngritur për të rënët gjatë grushtit të shtetit ndaj Erdoganit. Ata protestojnë kundër memorialit duke shprehur dhe kritikat e tyre për këtë monument në mes të Tiranës. “Respekt për këdo që nuk jeton më, por ky monument nuk na përket neve. I përket pushtuesve tanë. Bërë në datë 11/08/2019. Paqësisht në vend demokratik. Jemi të ngopur me turqit.

Jemi në pushtimin modern të tyre, përveç investimeve strategjike, uniformave të policisë dhe ambulancës të falura nga Turqia (dhe të njëjta me to) të cilat na identifikojnë si të tillë, çdo kanal me telenovela turke (duke ngulitur turqishten në trurin e çdo shqiptari), xhaminë mu në derën e parlamentit (duke u prezantuar si shtet fetar) kjo ishte e tepërt”, shkruajnë të rinjtë në pankarta të vendosura përmbi memorialit. Por duket se tensionet janë përcjellë edhe tek vetë memoriali. Persona ende të paidentifikuar kanë hedhur mbi të letër higjienike dhe sende të tjera në simbol të refuzimit të këtij memorialit në vendin tonë.

Mbi të është lënë një letër ku shkruhet: “Respekt për këdo që nuk jeton më, por ku monument nuk na përket neve, i përket ish pushtuesve tanë. Bërë në datë 11.08.2019, paqësisht në vend demokratik”. Ndërkohë nga selia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku përcolli urimet për festën e Kurban Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi çështjen e memorialit të vendosur nga ambasada turke pranë Parkut të Liqenit Artificial. Veliaj theksoi se në këtë zonë janë mbi 50 pika ku përkujtohen ngjarje apo individë të ndryshëm dhe se për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata apo tradhti./Shekulli

Të ngjashme