Organizatat e shoqërisë civile po kundërshtojnë Projektligjin për financim të subjekteve politike përmes një proteste para ndërtesë së Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre miratimi i një ligji të tillë nga Kuvendi i Kosovës do të thotë kundërshtim i të gjitha standardeve ndërkombëtare për financimin e subjekteve politike dhe vet frymës së Kushtetutës së Kosovës.
Ata po vlerësojnë po ashtu që ky projektligj zvogëlon mbikëqyrjen dhe kontrollin mbi financat e subjekteve politike dhe e ul transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut.
Drejtori ekzekutiv i organizatës Democracy Plus (D+), Valmir Ismaili, tha se kanë vendosur të bojkotojnë punën në grupe këshillues derisa Qeveria apo Kuvendi nuk e tërheqë këtë projektligj.
“ Ne organizatat e shoqërisë civile kemi vendosur që ta bojkotojmë punën në këtë grup këshillues përderisa Qeveria apo Kuvendi i Kosovës nuk e tërheqë këtë projektligj për financimin e subjekteve politike në Kosovë. Ne kemi qenë të gatshëm dhe kemi marrë pjesë në dy takimet e para për të ofruar rekomandimet e tona për një sistem sa më të mirë zgjedhor duke parë atë çfarë ka ndodhur, ne kemi vendosur që përkohësisht të pezullojmë aktivitetet tona në këtë grup punues”, tha ai, raporton EO.
Drejtoresha e GLSP-së, Arbërsha Loxha, tha se ky projektligj është në kundërshtim më frymën kushtetuese.
“ Ne si OJQ j bëjmë thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta tërheq ketë ligj, mos ta votoj këtë ligj sepse është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe nuk është në përputhje më rekomandimet e komisionit të Venecias”, tha ajo.
Ismajli tha se do të vazhdojnë takimet me akterë politik dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të marrin vendim për hapat e mëtejmë.
Ditë më parë këto organizata në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare kanë organizuar një aksion simbolik, raporton EO.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fushatës së 100 organizatave të shoqërisë civile, për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.