Shqipëria anëtare e UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, Rama: Moment krenarie

Prishtinë | 17 Qer 2026 | 21:01 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria është zgjidhur anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO për mandatin 2026–2030.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se me 73 vota në favor, vendi ynë ka fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë një rol aktiv në forumin më të rëndësishëm global për vendimmarrje në mbrojtjen, promovimin dhe rritjen e kapaciteteve të trashëgimisë kulturore jomateriale.

“Ky është një moment krenarie për Shqipërinë dhe një vlerësim i punës së institucioneve tona, ekspertëve, komuniteteve bartëse të trashëgimisë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë tonë shpirtërore. Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjitha shtetet që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë dhe na besuan këtë mandat katërvjeçar”.

“Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të Konventës 2003 të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale”, shkruan kryeministri Edi Rama në reagimin e tij ne rrjete sociale./abcnews.al

Të ngjashme