Në fillim, Ivana Petroniç hezitonte të udhëtonte nga ana serbe e qytetit të ndarë të Mitrovicës për në anën shqiptare. Pastaj, ajo zbuloi ETC-në, dyqan i madh që i ngjan dyqaneve nëpër botë.
Petroniç tani kalon urën e Ibrit rregullisht, për shkak se njoftimet e mëdha ngjyrë të kuqe të këtij hipermarketi, i kanë treguar asaj dhe mitrovicasve të tjerë që ekonomia është mbi politikën.
“Tregtia është mënyra më e mirë për të rënë në kontakt. Gjithmonë na ka lidhur dhe besoj se ky është hapi i parë drejt zhvillimit të marrëdhënieve normale”, tha Petroniç, teksa kishte mbushur qeset me ushqime të cilat thotë se nuk mund t’i gjejë në veri.
Lumi i Ibrit kalon në mes të Mitrociës, dukë ndarë kështu shqiptarët në një anë dhe serbët në anën tjetër që qëndrojnë në veri të Mitrociës që nga fundi i luftës më 1999.
Rreth 40,000 serbë, duke përfshirë fshatra dhe qytetëza, jetojnë në anën veriore të Kosovës.
Liderët politikë të serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, refuzojnë të njohin deklaratën e pavarësisë së vitit 2008 dhe insistojnë që Kosova do të jetë pjesë e Serbisë gjithmonë.
Por, brenda Qendrës Tregtare Elkos (ETC), blerësit kalojnë nëpër arkat e mbuluara me teknikë, detergjentë të rrobave, ushqime.
“Fatkeqësisht, politika është faktor që shpesh manipulon masën. Nuk është në interes të asnjërës palë që të thellojë hapësirën mes nesh. Por, është në interesin tonë të vendosim marrëdhënie të reja që janë më të mira se sa që kanë qenë”, thotë Adem Saliha nga jugu i Mitrovicës.
“Këtu, të gjithë janë njësoj, të gjithë jemi blerës. Nuk jemi të interesuar në asgjë përvec komoditetit. Nuk ka bojkote apo keqkuptime” shtoi ai.
Ndarja de facto e Mitrovicës ndodhi në qershor të vitit 1999, gjatë ditëve kaotike të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Derisa, qindra mijëra shqiptarë po ktheheshin në Kosovë, shtëpitë dhe bizneset e serbëve në jug u shkatërruan. Shumica e serbëve që jetuan në jug, u vendosën në veri.
Në atë kohë serbët vendosën barrikada dhe pika kontrolli joformale në tri urat kryesore të Mitrovicës për të parandaluar kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre në veri.
Më shumë se 19 vjet më vonë, shumë serbë në veri të Mitrovicës ende nuk e kanë kaluar urën për në anën jugore – për shkak të frikës apo mos interesimit. E njëjta mund të thuhet edhe për shqiptarët që jetojnë në jug.
Sanja Miloviç nuk shqetësohet për këtë gjë. Për dallim nga të tjerët, ajo lirshëm kalon urën për të kryer shërbime në anën tjetër të Mitrovicës.
“Situata nuk ka qenë gjithmonë e kënaqshme, por tani është ndryshe”, thotë ajo.
“Njerëzit shkojnë e vijnë lirshëm në dyqan. Unë ndihem rehat në këtë rrugëtim dhe për mua është shumë normale të bëj tregti me shqiptarët. Plus, është më lirë”.“
Stafi i ETC-së thanë se nuk mund të komentojnë për Radion Evropa e Lirë, në lidhje me dyqanin.
Në ditë me fluks të madh, kaosi brenda dyqanit është i natyrës pozitive, me fëmijë që vrapojnë nëpër arka, duke qeshur e bërtitur. Atmosfera e mirë ndikon në tensionet që nganjëherë pushtojnë Mitrovicën.
Vetëm dy muaj më parë, ndalimi i zyrtarit të qeverisë serbe Maro Gjuriq në Mitrovicë, nga autoritetet kosovare, krijoi tension midis dy palëve.
Policia e Kosovës duke e dërguar në stacion policor, Marko Gjuriq, 26 mars, 2018
Policia e Kosovës duke e dërguar në stacion policor, Marko Gjuriq, 26 mars, 2018
Ky incident ndodhi një ditë pasi Gjuriq ishte ndaluar gjatë hyrjes në Mitrovicë për shkak se autoritetet deklaruan se ai kishte hyrë ilegalisht.
Gjuriq, që është shef i Zyrës për Kosovën nga Qeveria e Serbisë, u transferua në një gjykatë në Prishtinë, para dëbimit nga shteti.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian erdhën me urgjencë në Beograd për të qetësuar situatën, që ishte ndezje e zjarrit pas vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq më 16 janar, para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.
“Kur tensionet rriten, natyrisht se njerëzit nuk kalojnë nga njëra anë në tjetrën”, tha Zeljko Tvrdisic, nga veriu.
“Por, a ndjehem unë i lirë të vijë në ETC? Absolutisht. Nuk kam rastisur në shitës të pakëndshëm këtu”, shtoi ai\REL.