ShSKUK-ja nuk do ta zbatojë vendimin e Inspektoratit për Basri Sejdiun

Prishtinë | 06 Tet 2020 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Asnjëra nga rrethanat e përcaktuara në Ligjin e Punës, nuk është konsumuar sipas shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, kur Bordi i SHSKUK-së ka marrë vendim që t’ia shkëpusë kontratën si drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiut.

Sikurse shkalla e parë, edhe e dyta e ka konsideruar largimin e Sejdiut nga kjo pozitë të jashtëligjshme. Vendimi i shkallës së dytë u mor pasi SHSKUK-ja ishte ankuar në vendimin e shkallës së parë të Inspektoratit.

Në vendimin e plotë të shkallës se dytë, të cilin e ka KOHA, Inspektorati i Punës ka disa argumente kundër vendimit të Bordit për shkarkimin e Sejdiut.

Një nga arsyet kryesore që Bordi pati mbështetur vendimin për shkarkimin e Sejdiut është arsyetimi që lidhet me performancë të dobët të tij, në këtë institucion.

Por, sipas Inspektoratit, shkëputja e kontratës së punës për drejtorin nuk ka mundur të bëhet pa i shqiptuar atij fillimisht vërejtje për probleme me performancën.

“Edhe shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës, e ka cilësuar Bordin si organ jokompetent për shkarkimin e Sejdiut. Kjo për shkak që në statutin e SHSKUK-së, shprehimisht është paraparë vetëm emërimi i drejtorit, por jo edhe shkarkimi i tij”, sipas tij.

Bordi, sipas shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, nuk ka të drejtë ta shkarkojë drejtorin e përgjithshëm.

SHSKUK-ja, megjithatë, nuk do ta kthejë Sejdiun në pozitën nga e cila e kanë shkarkuar, edhe pas vendimit të shkallës së dytë.

Dy vendimet e Inspektoratit do të atakohen në gjykatë. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga ky institucion përmes një reagimi dërguar mediave.

“Bordi Drejtues i SHSKUK-së konsideron që Inspektorati i Punës nuk ka vlerësuar gjendjen faktike në mënyrë adekuate lidhur me këtë çështje, po ashtu, ka vepruar jashtë kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-144 për Zyrtarët Publikë, si rrjedhojë do ta procedojë këtë rast tek institucionet kompetente, konform dispozitave ligjore”, shkruhet në reagim.

Por, Sejdiu thotë se vendimi që ai të kthehet në punë tashmë është i ekzekutueshëm.

“Pres që të kthehem në vendin e punës. Në vendimin e parë thuhet që duhet të kthehem brenda 8 ditësh. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë po flasim për anarki. Nëse nuk kthehem atëherë kjo mund të lidhet me inate personale të Bordit, për shkak që vendimi është i ekzekutueshëm”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ishte zgjedhur drejtor në kohën kur Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga Uran Ismaili i PDK-së. Bordi asokohe kryesohej nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani. Përbërja e këtij bordi ishte zgjedhur, po ashtu, në kohën e Ismailit.

Në Qeverinë Kurti, ky bord ishte shkarkuar. Bordi i ri i zgjedhur më pas shkarkoi Sejdiun.

Të ngjashme