Shtyhet shqyrtimi fillestar ndaj ish-kryeshefit të “Trepçës” që akuzohet për korrupsion

Prishtinë | 24 Mar 2023 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Është shtyrë për 7 prill shqyrtimi fillestar në rastin ndaj ish-kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimit, pasi nuk ishte i përgatitur për seancë shkaku se festën për seancë e kishte pranuar vetëm para dy ditëve.

Ibrahimi akuzohet për konflikt interesi pasi ngarkohet se sa ishte kryeshef i “Trepçës” në vitin 2019, kishte angazhuar vëllain e tij në kompani me kontratë pune, me pagë prej 600 eurosh në muaj, për një periudhë gjashtëmujore.

Kërkesa e të akuzuarit Ibrahimi nuk u kundërshtua nga prokurorja e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Fetije Bajrami, ndërsa u aprovua nga gjyqtari i rastit, Avni Mehmeti.

Gjyqtari Mehmeti njoftoi se ftesa për të akuzuarin Basri Ibrahimi është dërguar me kohë në mënyrë të rregullt, por fletëkthesa me ftesë ishte kthyer në gjykatë me konstatimin se edhe pas tre përpjekjeve që t’i dorëzohet ftesa të akuzuarit, adresa e tij ka qenë e panjohur.

“Gjykata menjëherë përmes Policisë së Kosovës, përkatësisht Stacionit Policor në Gracanicë, ka urdhëruar që t’i dërgohet thirrja të pandehurit për këtë seancë, dhe sipas fletëkthesës, rezulton se policia ia ka dorëzuar të pandehurit thirrjen më 22 mars 2023, në ora 16:15”, konstatoi gjyqtari Mehmeti.

Pas kërkesës së të akuzuarit Ibrahimi, gjykata e aprovoi pasi vlerësoi se e ka parasysh të drejtën e të akuzuarit që të ftohet në kohë të rregullt, dhe të ketë mundësi të përgatitet për rastin.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër Basri Ibrahimit më 4 janar 2023, sepse më 5 gusht 2019, në Mitrovicë, në SH.A. “Trepça”, në cilësinë e ish-kryeshefit ekzekutiv, duke ushtruar autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit financiar, e në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka lidhur kontratën për punë dhe detyra specifike me numër protokolli 2218, me pagë mujore prej 600 euro, për kohë të caktuar për 5 muaj, duke e ditur se personi me të cilin ka lidhur kontratat, është anëtar i familjes, dhe atë vëllai i tij Zenel Ibrahimi.

Me këtë ka kryer veprën penale Konflikt i interesit nga neni 417 par.1 të KPRK-së.

Kurse, në pikën e dytë e dispozitivit, thuhet se i akuzuari Ibrahimi më 7 tetor 2019, në Mitrovicë, në SH.A. “Trepça”, në cilësinë e ish-kryeshefit ekzekutiv, duke ushtruar autoritetin e tij zyrtar, me qellim të përfitimit financiar, e në kundërshtim me Ligjin nr. 06/1-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka lidhur kontratën për shërbime intelektuale, me numër protokolli 3037, ma pagë mujore prej 600 euro, për kohë të caktuar për 1 muaj, duke e ditur se personi me të cilin ka lidhur kontratat, është anëtar i familjes, dhe atë vëllai i tij Zenel Ibrahimi.

Me këtë ka kryer veprën penale Konflikt i interesit nga neni 417 par.1 të KPRK-së, e në bashkim real me veprën penale si nën pikën e parë të dispozitivit. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme