Kosovën mund ta presin ditë të trazuara para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, shkruan Deutsche Welle, duke iu referuar mediave gjermane.
Aktgjykimi pritet të shpallet të mërkurën, më 16 shtator, në Hagë. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, ndërsa ata janë deklaruar të pafajshëm.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung” vlerëson se një vendim dënues mund të shkaktojë protesta të reja dhe tensione në Kosovë. Gazeta thekson se çështja mund të ketë ndikim edhe në perceptimin për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Mijëra qytetarë morën pjesë të shtunën në Prishtinë në një tubim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre.
Ndërkohë, “Neue Zürcher Zeitung” shkruan se procesi në Hagë ka ndikuar në rritjen e popullaritetit të Thaçit, ndërsa rikujton se pretendimet për trafikim organesh, të ngritura vite më parë, nuk janë mbështetur me prova të qëndrueshme.
Prokuroria pretendon se ish-krerët e UÇK-së mbanin përgjegjësi për krimet e kryera nga vartësit, ndërsa mbrojtja argumenton se UÇK-ja nuk kishte një zinxhir të qartë komandues dhe se të akuzuarit nuk kishin kontroll real mbi luftëtarët në terren.
Për shumë shqiptarë të Kosovës, vendimi shihet si një çështje që prek jo vetëm përgjegjësinë individuale të të akuzuarve, por edhe perceptimin për luftën e UÇK-së.