Si po e manipulon Kadare të shkuarën?

Tiranë | 24 Nën 2016 | 16:14 | Nga Fatos Lubonja

Fatos Lubonja thotë se shkrimtari Ismail Kadare po fabrikon të shkuarën e vet; nuk e përndiqte Sigurimi.

Pasi lexova me vëmendje përgjigjen e autorit të librit “Kadare në Pallatin e ëndrrave” ndaj shkrimit tim “Kadare po fabrikon të shkuarën e vet – nuk e përndiqte Sigurimi”, si dhe polemikën e botuesit Çili, që më thotë se thjesht “ka botuar dokumente” dhe pyet: “ku është manipulim-simulimi këtu?”, u njoha më me detaje me materialet dhe vetë librin. Kjo njohje më konfirmoi çfarë shkruaja në përgjigjen dhënë “Panoramës” se ky libër (i cili nuk ka vetëm dokumente, por edhe interpretime, që më rezultojnë manipuluese, deformuese, keqdashëse) synon ta shtrembërojnë e kamuflojë të vërtetën, për qëllime që s’kanë të bëjnë me hedhjen dritë mbi të kaluarën, as me katarsisin për të cilin ka nevojë shoqëria. Ai është provë e vazhdimit të asaj kulturës së diktaturës, që karakterizohej nga dyfytyrësia, frika, gënjeshtra dhe manipulimi i njeriut; fabrikimi i historisë, i heronjve dhe i armiqve për interesa pushteti, që, fatkeqësisht, në kohën tonë po shfaqet në trajta të reja, ku drama merr ngjyrime groteske e të neveritshme.

ARGUMENTET PO I NIS NGA RASTI IM

Është manipulim të thuash se hetuesia e grupit tonë tregon se Sigurimi përndiqte Kadarenë me argumentin se “ka qenë më se normale që hetuesia ta pyeste Fatos Lubonjën edhe për Kadarenë” edhe për “faktin se Kadareja kishte pasur miqësi me Todi Lubonjën.” Në shkrimin paraardhës kam dhënë arsyet pse nuk ishte “normale” kjo. Tani them se edhe dokumentet nuk e provojnë këtë. Emri i Kadaresë nuk ka dalë si rezultat i ndonjë pyetjeje për të, por siç e nënkupton edhe përgjigjja, nga pyetja se ç’mendonte im atë për letërsinë. Dhe po të lexosh me vëmendje faksimilen me shkrim dore, që afërmendsh ka qenë më afër fjalës sime, botuar edhe në gazetën “Panorama”, aty thuhet: “… (babai) ka pëlqyer shkrimtarët Ismail Kadare, Dritëro Agolli. Për të tjerët thoshte që këta nuk shkruajnë mirë, nuk kanë kurajë pse vuajnë nga skematizmi. Ky ka qenë mendimi i tij për letërsinë tonë.” Autorët nuk kanë vënë këtë pohim, që nuk përmban as ndonjë gjë “armiqësore”, por zbardhjen e tij me makinë të rënduar në formën: “më ka thënë se kishte simpati për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët se janë ta paaftë, se shkrimet i bëjnë nga frika.” “se i futin brenda.”

Etika profesionale, duke parë këtë ndryshim jo të vogël, ta donte që të paktën autori të kërkonte një sqarim edhe nga unë, meqenëse jam gjallë. Dhe po të isha pyetur në hetuesi për Kadarenë, s’kisha pse ta mohoja. Jo vetëm nuk e ka bërë këtë, por ka vepruar në stilin e zbardhjeve që kanë bërë hetuesit dhe sekretarët e regjimit. Ka vënë si kryetitull të faqes ku janë bërë interpretimet/manipulimet frazën me të cilën u hapën edhe disa gazeta: “babai thoshte… se vetëm Kadare shkruan të vërtetën”, frazë që nuk ekziston fare në asnjërin dokument.

MANIPULIMI ME FADIL PAÇRAMIN

Duke shfletuar disa nga faqet e librit në kapituj ku preket koha e goditjes së liberalizmit, që e njoh mirë, vura re se të tilla manipulime nuk janë përjashtime, por rregull në këtë libër. E njëjta gjë ndodh me deponimin e Fadil Paçramit.

Fadil Paçrami është akuzuar për agjitacion e propagandë, paragrafi i dytë, që parashikonte dënimin nga 10 vjet deri me vdekje (u dënua 25 vjet). I shtrënguar të pranojë (gjithmonë sipas një dokumenti nxjerrë në ato kushte), se mendimet e tij – për konfliktin e brezave, romanin e shkurtër, traditën etj. – kanë qenë të gabuara dhe kundër vijës së partisë, por pa pranuar se ka pasur qëllim armiqësor, ai thotë fraza të tilla: “Biseda të tilla për këtë çështje kam zhvilluar me Ibrahim Uruçin, Kujtim Spahivoglin, Bardhyl Kosovën, Riza Hajron, Qamil Buxhelin, Ismail Kadarenë dhe kam folur në një mbledhje me trupën e Teatrit Popullor”. “Pikëpamje të ngjashme me mua për romanin e shkurtër ka pasur edhe Ismail Kadareja, Dhimitër Xhuvani e ndonjë tjetër i ri.” Emri i Kadaresë nuk ndahet në dokument nga shumë emra me të cilët Paçrami ka punuar si njeri i kulturës dhe si politikan, disa prej të cilëve, si Uruçi e Spahivogli, kanë marrë asokohe vërtet goditje të rënda si liberalë. Asnjë pyetje nuk i drejtohet në mënyrë të veçantë për Kadarenë. Kurse manipuluesit shkruajnë: “Ato çka deponon Fadil Paçrami në procesin e tij hetimor janë ‘kopsitur’ me shumë kujdes deri në detaje nga më të hollësishmet, për ta ‘implikuar’ Kadarenë ‘si bashkëpunëtor në veprimtarinë armiqësore’ të Paçramit”.

E pra, nuk mjafton fakti që këta njerëz nuk duan t’ia dinë për torturat që ka hequr ky njeri në hetuesi në kushte midis jetës dhe vdekjes. As për faktin se edhe Kadareja vetë ka kontribuar në arrestimin e tij duke amplifikuar në “Zërin e Popullit” akuzat e Enver Hoxhës për të si “armik i partisë”, “kundërshtar i tërbuar i kombëtares”, “djathtist”, “antishqiptar”, as për traumat që mund t’u ringjallin familjarëve me evokimin e tragjedisë së tyre, por, njëlloj si hetuesit e Enver Hoxhës, nxitojnë ta keqpërdorin fjalën e tij për qëllime të ulëta manipulimi të së vërtetës.

SELEKTIVITETI

Etika profesionale e një studiuesi serioz, që kërkon të vërtetën, është ballafaqimi i të gjitha dokumenteve dhe argumenteve rreth një çështjeje. Ky libër në këtë aspekt ka një selektivitet të skajshëm, në funksion të manipulimit të publikut me të vërtetën që do të imponojë: se raporti i Kadaresë me diktaturën ka qenë ai i një kundërshtari që e ndiqte Sigurimi.

Po ndalem vetëm në disa shembuj selektiviteti:

Lidhur me poemën “Pashallarët e kuq”, në libër vihet dokumenti me fjalët që ka shkruar Enver Hoxha në ditar, për “mutrat që ka bërë Kadareja”, si dhe një intervistë që Kadare i ka dhënë autorit, ku i thotë se Hoxha u tërbua ngase unë kam përmendur “duart e përgjakura”. Mirëpo, ndërkaq, autori ka neglizhuar një debat të tërë që u bë në fillim vitet 2000 lidhur me botimin e një libri me autor Maks Velon për “Pashallarët e kuq”. Kadareja pretendonte në atë libër se poema ishte kundër Enver Hoxhës dhe nomenklaturës dhe se, jo vetëm nuk qe botuar, por qe zhdukur prej tyre, duke kryer kështu një krim ndaj letërsisë. Mirëpo në atë debat dolën edhe shumë dëshmi se ajo nuk ishte kundër Hoxhës, por kundër puçistëve dhe sabotatorëve që ky i kishte çuar në burg e në plumb; se mosbotimi i saj dhe zemërimi i Hoxhës lidhej me zellin e tepruar të autorit për t’ia veshur atij tërë meritat për vrasjen e këtyre armiqve, ndërkohë që ai në këto raste thoshte gjithmonë “partia”. E, më në fund, u gjet edhe poema “e zhdukur”, e cila provoi, jo vetëm se autori nuk kishte dashur ta kërkonte, por edhe se “duart e përgjakura” ishin të armiqve, kurse Hoxha mbante në dorë një pishtar me të cilin i zbuloi ata. Përse autori i këtij libri dhe botuesit nuk u referohen edhe këtyre dokumenteve. Përse, tek e fundit, nuk botojnë edhe poemën vetë, disa vargje të së cilës mund të shpjegojnë edhe zemërimin e Hoxhës, sepse e tejkalojnë edhe gjuhën terroriste që përdorte ai vetë në publik: “Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj./ Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit,/ Të të vejë në mur/tek Bulevardi i Madh.”?

Poende, nëse do të kishim të bënim me një libër ku të kërkohej përmes dokumenteve e gjithë e vërteta për raportet e Sigurimit me Kadarenë, autorët duhet të merrnin e fusnin në këtë libër edhe deklarimin në gjyq të ish-zv/ministrit të Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, se Kadare ka qenë i rekrutuar nga Sigurimi dhe ka pasur pseudonimin “Gjenerali”, gjë që e ka shkruar edhe shkrimtari Kasëm Trebeshina.

Ata do të duhej të kërkonin edhe në dosjen e internimit të Renato Rrapit, për të cilin e ëma ka dhënë prova se është internuar dhe ka përfunduar i gjymtuar psiqikisht për shkak se Kadare vuri në lëvizje Sigurimin për ta hequr qafe këtë djalë, krimi i vetëm i të cilit ishte se dashurohej me të bijën e tij duke mos qenë i të njëjtit rang.

Ata duhet të na kthjellonin ca më mirë se cili ka qenë raporti i Kadaresë me Sigurimin në rastin e Dhora Lekës nëpërmjet botimit edhe të çfarë ka thënë ajo, të tjerë si Sulejman Mato e dokumentesh të tjera. Sepse, nëse Sigurimi e paska shtyrë Dhora Lekën për t’i dërguar letrat provokuese, kur ishte në Berat, mbetet pa përgjigje pyetja: Pse pas denoncimit të këtyre letrave nga Kadare ajo u linçua publikisht dhe u dërgua në burg? Me kë paska qenë ky Sigurimi, se s’po merret më vesh, me ata që i shërbenin apo me ata që i përndiqte?

Për t’i mbyllur me një ilustrim të fundit shembujt e selektivitetit, që mund të vazhdonin gjatë, them se autorët do të duhej të kishin përfshirë në libër edhe një letër të hapur që i ka dërguar ish-miku dhe kushëriri i gruas, shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili thotë aty disa fakte, të mbetura pa përgjigje nga Kadare. Ajo tregon se kjo historia e librit me denonciatorë të Kadaresë mund të jetë si historia e librit për “Pashallarët e kuq”:

“Meqë jemi te raportet tona si shkrimtarë me Ministrinë e Brendshme, po përmend se kontaktet dhe lidhjet me të nuk të kanë munguar as ty, ndonëse tani s’ta ka qejfi t’i kujtosh. Ke pasur të njohur dhe miq prej tyre, me të cilët shkëmbeje mendime ose u kërkoje ndihmë për ndonjë hall që kishe. Po kështu, edhe ti ke kontribuar në botimet e këtij dikasteri, siç është parathënia që ke shkruar për serinë e librave “Heronj të heshtur” apo ke botuar tregime me temën e Sigurimit në revistën “Në shërbim të popullit”. […]Me këtë rast më shkon mendja dhe te ndonjë problem i vështirë familjar që e ke zgjidhur me ndihmën direkte të funksionarëve të lartë, deri edhe te Ministri i Brendshëm. Por, pa dashur të shkoj më tej e të bie në pozitat e tua, nuk mund të rri pa evokuar një episod që na ka treguar pas viteve ’90, mua dhe një mikut tonë të përbashkët, një ish-funksionar i Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, në një bisedë të rastit që ke pasur me të nga vitet ‘80, në muhabet e sipër i ke shprehur pakënaqësinë që Sigurimi Shqiptar ka dështuar në zbulimin e agjenturës sovjetike në Shqipëri. Pas këtij takimi, funksionari nuk do ta linte problemin me kaq, por me rastin më të parë do t’ia raportonte Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai. Ai e mirëpriti dhe e porositi vartësin që të të ftonte në zyrën e tij për të pirë një kafe e për të biseduar. Dhe kështu u bë. Ti pranove menjëherë dhe pa e zgjatur, shkove në zyrën e Ministrit. Sipas funksionarit, që do të ishte prezent, biseda në pjesën më të madhe iu kushtua problemit të agjenturës sovjetike në Shqipëri, ku fjalën kryesore e kishe ti, ndërsa ata të dëgjonin me vëmendje. Një takim i vërtetë profesional, me arsyetime dhe fakte, të shprehura seriozisht e pa doreza. Unë e dija se ku e kishe hallin. Ti atëherë ishe i pakënaqur nga disa intelektualë partiakë që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, me të cilët ishe i zemëruar pasi ata të sillnin pengesa ose flisnin keq dhe ndikonin për mosaprovimin e veprave të tua në Aparatin e K.Q. të Partisë. Por ti kishe pozita të forta dhe gëzoje përkrahje deri lart fare, pavarësisht nga këto pengesa.

Në fund, Ministri të falënderoi për mendimet me vlerë që shfaqe, duke shtuar se “derën e kini gjithnjë të hapur për çdo gjë që ju shqetëson”. Por kjo histori nuk u mbyll me kaq. Ministri, i prekur nga gjesti yt, nuk dinte si të ta shpërblente dhe, kur mori vesh, pas disa ditëve, se Lidhja e Shkrimtarëve të kish dhënë në përdorim, si drejtues i revistës, një veturë të konsumuar, urdhëroi që nga fondi i dikasterit të të dhuronte një nga pesë makinat “Volkswagen” të porsablera në Gjermani”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme