Kuvendi Komunal i Rahovecit është duke e mbajtur mbledhjen e radhës me 12 pika të rendit të ditës. Rastet e fundit të plaçkitjeve, rrahjeve dhe gjuajtja me armë në Krushë të Madhe ka ngritur shqetësim te qytetarët dhe në seancën e djeshme, ku është shqyrtuar gjendja aktuale e sigurisë. Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, ka thënë se situata është serioze pasi po cenohet prona dhe pasuria e qytetarëve, dhe ka kërkuar të rritet prania policore në terren.
Latifi thotë se rasti i Krushës së Madhe dhe Ratkocit është duke u trajtuar me seriozitet dhe për pak ditë mund të zbulohen identitetet e pjesëtarëve në plaçkitjen e armatosur.
Ai ftoi të gjithë qytetarët dhe anëtarët e kuvendit që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe se në këtë mënyrë nuk do të ketë rahati për këta keqbërës.
“Rasti i Krushës së Madhe është duke u trajtuar me seriozitet dhe ai i Ratkocit. Procesi është duke shkuar në rrugë të mbarë dhe ndoshta për pak ditë do të zbulojmë identitetin e atyre që kanë marrë pjesë në plaçkitje të armatosur, rrahje, torturë apo edhe me gjuajtje me armë për më shumë se gjysmë ore në Krushë të Madhe. Unë i ftoj anëtarët e kuvendit dhe qytetarët që të bashkëpunojnë edhe me administratë e me organet e rendit, dhe jam shumë i sigurt që nuk do të ketë qetësi e rehati për keqbërësit, kriminelët, hajdutët që tentojnë në mënyrë ose tjetrën të gjejnë hapësirë për të cenuar jetën e njerëzve, pronën dhe pasurinë e njerëzve tanë”.
“Unë e di se fundi i tyre do të jetë i tmerrshëm, i secilit keqbërës, sepse tash shteti ka mekanizma të tjerë të cilët i ka në veprim. Qytetarët do ta rrisin bashkëpunim sepse kanë nevojë. Policia do të shtojë angazhimin sepse është me interes dhe organet tjera profesionale do të jenë edhe më aktive në mënyrë që të krijohet siguri për të gjithë dhe të garantojmë siguri pavarësisht që gjendja këto ditë nuk ka qenë në favorin tonë”, tha i pari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.