Sijarina: Gjatë pandemisë grave u është dyfishuar barra dhe ka rritje të dhunës në familje

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Liridona Sijarina, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se gjatë pandemisë grave u është dyfishuar barra.

Ajo ka folur për diskriminimin gjinor që bëhet në vendin e punës në Kosovë, e që sipas saj është shumë i thellë.

“Prej një perspektive më statistikore vërejmë se ka një diskriminim të thellë gjinor në Kosovë. Kemi vetëm 13.7 për qind që punojnë nga totali i grave që janë të afta për punë. Kjo paraqet një diskriminim apriori se si trajtohen gratë dhe burrat. Por, edhe kur hyjnë në punë ato janë më të margjinalizuara, duke përfshirë ngacmimin seksual, ngritjen në punë etj. Fakti që ndodhin këto vështirësi i gjejmë në pjesën dërrmuese në normat shoqërore”, ka thënë Sijarina.

E sipas saj kjo vërehet tek titujt e konkurseve që bëhen.

“Në shumicën e konkurseve që hapen shumica e titujve janë pak më menaxheriale dhe zakonisht përshkruhen në tituj mashkullor. Ndërsa ato që janë më stereotipizuese për gratë, zakonisht kanë edhe tituj të grave. E ndoshta kjo paraqet një problem, duke i shtyrë ato që të aplikojnë në ato që janë më feminine. E kemi një pjesëmarrje shumë të madhe të grave në markete, në edukim etj për shkak të rolit që u është dhënë”, ka thënë ajo.

Sijarina ka shtuar tutje se është vështirë që të evidentohet diskriminimi në pagë, pasi në atë publik kjo nuk ndodhë, kurse në atë privat është e vështirë të evidentohet e për ta bërë këtë sipas saj duhet një punë më e madhe nga Inspektorati i punës.

Ajo gjithashtu ka thënë se qytetarët nuk janë shumë të informuar se si të mbrohen kur të diskriminohen.

“Ne e kemi parë që qytetarët nuk janë shumë të informuar se si i mbron ligji. Gjithashtu ekziston edhe një mosbesim tek institucionet që i shtynë gratë dhe burrat të mos raportojnë diskriminimin që iu bëhet. Problemi kyç qëndron se nuk implementohen ligjet”, ka thënë Sijarina.

Ajo thotë se tani kanë nisur të japin ndihmë juridike falas, derisa thekson se është rritur edhe dhuna në familje gjatë pandemisë.

“Në këtë fushatë jemi partner me Rrjetin e Grave, që ka paraparë një ndihmë juridike falas për qytetarët që konsiderojnë se po diskriminohen në vendin e punës. Këto muaj kemi parë një ngritje të dhunës në familje, e kjo për shkak të pasojave ekonomike që ka shkaktuar pandemia. Ne jemi fokusuar në zhvillimin e një fushate informuese se ku mund të drejtohen nëse përjetojnë dhunë në familje. Barra e grave është shtuar dyfish”, ka thënë Sijarina. “Jemi duke u marrë me vetëdijësimin e qytetarëve por edhe të institucioneve, pasi e kemi vërejtur se ekziston edhe një seksisem dhe mizogjenizëm edhe tek ata që duhet të punojnë dhe të respektojnë këto të drejta”.

Të ngjashme