Siri, në Idlib dhe Hama në prill u vranë 38 fëmijë

Prishtinë | 24 Maj 2019 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Organizata ndërkombëtare për ndihmën e fëmijëve “Save the Children”, bëri të ditur se në prill të këtij viti, 38 fëmijë u vranë në zonën e deeskalimit të konfliktit e cila përfshin Idlibin dhe Hama-n në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Organizata “Save the Children” thotë se nga gjithsej 38 fëmijët e vrarë, 9 prej tyre u vranë në shkolla, 11 në shtëpi dhe 7 në tregje, dy në vendbanime të improvizuara, një në spital dhe të tjerët në rrugët e Idlibit dhe Hama-s.

Në deklaratë thuhet se se nga sulmet ajrore janë shkatërruar 18 qendra të ofrimit të ndihmës mjeksore, të cilat shërbyen rreth 200 mijë njerëz. Katër punonjës shëndetësor u vranë gjithashtu.

“Save the Children” njofton se mijëra familje siriane po kërkojnë strehim në kampet e refugjatëve ose vendbanimet pranë kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve gjithnjë e më të shpeshta.

Shefi i Departamentit për Sirinë të organizatës “Save the Children”, Sonia Khush u bëri thirrje të gjitha palëve ndërluftuese se ata janë të detyruar të sigurojnë mbrojtje për fëmijët.

“Është e paligjshme të sulmosh civilë, të gjitha palët janë të detyruara të mbrojnë fëmijët, shkollat, spitalet dhe objektet e tjera civile nuk duhet të jenë në shënjestër”, tha Khush.

Në takimin e përfaqësuesve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit të mbajtur në fillim të majit 2017 në Kazakistan, Idlibi dhe zona përreth saj u shpallën zona të deeskalimit të konfliktit. Pas sulmeve të regjimit që shkelën procesin e armëpushimit të nisur në këto korniza, Turqia dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje shtesë.

Pavarësisht marrëveshjes së Soçit të nënshkruar më 17 shtator 2018, forcat e regjimit me ndihmën e aleatëve vazhdojnë sulmet. Sulmet u intensifikuan gjatë takimit të 12-të të Turqisë, Rusisë dhe Iranit të mbajtur më 25 dhe 26 prill në Nur-Sultan (Kazakistan). Sulmet vazhduan ndërsa të dhënat e Mbrojtjes Civile tregojnë se të paktën 195 civilë u vranë nga sulmet që nga 25 prilli dhe më shumë se 485 u plagosën.

Të ngjashme