Ndarje mes Interit dhe Mauro Icardit nuk do të ketë, pasi klauzola e kontratës së futbollistit prej 110 milionë eurosh skadon këtë të dielë.
Në fakt, klauzola e vendosur në kontratën e sulmuesit argjentinas të Interit vlente vetëm për klubet jashtë Italisë, por e vërteta është se edhe me ekzistencën e kësaj klauzolë, Icardi nuk ka shfaqur në asnjë moment dëshirën për t’u larguar nga zikaltrit.
Por, jo vetëm kaq. Sulmuesi 25-vjeçar ka nisur tashmë bisedimet me drejtorin sportiv të klubit, Piero Ausilio, për rinovimin e kontratës që do të shoqërohet edhe me një rritje të pagës.
Kontrata aktuale e Icardit me Interin skadon në vitin 2021, kurse paga e tij është 5.5 milionë euro. Tani, zikaltrit kërkojnë ta çojnë atë deri në vitin 2022, me pagë 7.5-8 milionë euro në sezon.
Në të njëjtën kohë, drejtuesit e Interit dhe përfaqësuesit e Icardit po studiojnë mundësinë që të përfshijnë një tjetër klauzolë të zgjidhjes së kontratës, që do të ketë vlerë për klubet jashtë Italisë dhe do të jetë 200 milionë euro.